Bushi: Anglia është ekip i madh, por nuk e kemi frikë

7 Nëntor 2019
11:54
Alfred Lleshi

Pasi publikoi listën e lojtarëve, që do të ketë në dispozicion për kualifikuesen e radhës në grupin 3, ndaj Anglisë, më 15 nëntor në “Loro Boriçi”, trajneri Alban Bushi iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Me këtë rast ka shpalosur edhe objektivin e të tijve në sfidën me “Tre Luanët”. Ndër të tjera, “Loku” ka nënvizuar: “E njohim mirë Anglinë, kjo gjë përbën favor për ne. Gjithmonë futemi në fushë që të fitojmë, pavarësisht kundërshtarit; edhe nëse është Anglia apo San Marino. Kuptohet, ngdaj anglezëve nuk mund të bëjmë lojë mirëfilli sulmuese, por duhet të tregohemi të saktë në rastet e krijuara. Strategjia është e qartë: të mbrohemi mirë dhe të kundërsulmojmë.

Debutuesit, Domi dhe Tuci? Kemi thirrur tre lojtarë të rinj, është edhe Ismajlgeci. Ata po luajnë në ekipet e tyre, janë edhe në formë të mirë sportive. Do t’i shohim në stërvitje, nuk mund të them nëse do të luajnë nga fillimi. Kemi pasur probleme, Tafa me kartonë, Vrioni i dëmtuar, ndaj kam thirrur edhe tre lojtarë nga U-19. Sidoqoftë, me këta lojtarë do të bëjmë më të mirën. Anglia? Patjetër që është një ndeshje e rëndësishme. Tifozët duhet të vijnë në stadium për të parë Shqipërinë, pastaj Anglinë. Kemi zhvilluar ndeshje të mira, kemi respektuar flamurin, veten dhe tifozët. Duhet të dimë kush jemi dhe kundër kujt luajmë. Mjafton të japim maksimumin, nuk është se kërkohet diçka më shumë prej nesh. Jam i sigurt se në Shkodër do të vijnë tifozët për të në mbështetur, e kanë bërë këtë edhe më parë.

Ndryshimet? Normal, penalizohemi kur na ikin lojtarë të ndryshëm. Ndryshon skema dhe strategjia, që ndërtohen në bazë të lojtarëve. Sidoqoftë, edhe ata që janë thirrur rishtas janë të mirë. Kemi luajtur me disa ndryshime në formacion, por kësi situatash kanë qenë edhe më parë. Po stabilizohemi dhe besoj se për një apo dy vite nuk do kemi më probleme me lëvizjen e lojtarë. Kundërshtari i radhës? Anglia është ekip i madh, por nuk duhet ta kemi frikë. Futbolli i njeh të tria rezultatet; mund të fitojmë, të barazojmë apo humbasim. Kemi luajtur me Italinë, Spanjën dhe Francën, kemi pësuar gola për fajin tonë. Nëse nuk bëjmë gabime individuale, Anglia nuk na shënon. Po të jemi të bashkuar si ekip, Anglia do ta ketë të vështirë. Edhe Spanja na shënoi vetëm në fund në “Selman Stërmasi”. 

Pse pësojmë në fund? Është problem për të gjithë, do të ekzistojë edhe 100 vite më pas. Nuk është se e kemi problem shqetësues këtë pjesë. Pësojmë në fund, por edhe mund të shënojmë. Lodhja e bën të vetën në fund të lojës, kohë kur nevojitet më shumë përqendrim.Rada dhe Lakti? Janë lojtarë të perspectives. Rada është pjesë e jona, ndërsa Lakti me U-20, sikurse edhe Çelhaka. Rezart Rama do të jetë me Shqipërinë U-20. Kur t’i vijë koha do të thirret edhe te U-21, si të tjerët. Kemi marrë lojtarë të datëlindjes 1998, që të mund ta përballojnë më mirë Anglinë.

Lojtarët e thirrur kanë minuta aktivizim në klubet e tyre, sidomos të formacionit, që e kam në kokë. Florent Shehu? Nga Lazio kemi marrë lojtarë edhe në të shkuarën. Tani kemi Kalajn, që mund të bëhet lojtar i madh, nëse ndryshon pak stilin e lojës. Mund të flasim për të sikur për Kumbullën. Për Shehun nuk ka pasur bisedime për ta afruar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit