Buzëqesh Juventusi, rikthehen “tre tenorët” e dëmtuar

14 Dhjetor 2019
8:22
Alfred Lleshi
back button

“Infermieria” e Juventusit po zbrazet ngadalë. Për ndeshjen e radhës të kampionatit kundër Udinese, në fakt, Sarri do të jetë përsëri në gjendje të llogarisë De Ligt, Douglas Costa dhe Bentancur. Të tre u kthyen për të punuar me grupin për sfidën e javës së 16-të të Serie A.

Rimëkëmbje e shpejtë e De Ligt, i cili nuk kishte udhëtuar për në Leverkusen nga një problem i muskujve. Ai do të jetë në qendër të mbrojtjes, së bashku me Bonucci, gjatë ndeshjes kundër Udinese. Pas disa javësh shohim edhe Douglas Costa, i cili duhet ta fillojë nga pankina dhe më pas ndoshta të hidhet në fushë disa minuta. 

Braziliani ka luajtur vetëm gjashtë ndeshje këtë sezon, në Serie A, duke pasur parasysh dëmtimin e muskujve, të pësuar në shtator, dhe dëmtimin e kofshës, në fund të nëntorit. Me Douglas Costa, trajneri Sarri mund të propozonte “tridentin”, tashmë të testuar me rezultate të mira në Ligën e Kampionëve, kundër Leverkusen. 

Bentancur, gjithashtu, pësoi një dëmtim ndaj Lazio. Ky dëmtim, që dukej serioz, për fat të mirë për të, Juventusin dhe tifozët bardhezinj, ka rezultuar ndryshe. Mesfushori uruguajan do të jetë në dispozicion të Sarrit për ndeshjen kundër Udinese, të dielën.

Asgjë e re për Ramsey, i cili vazhdon punën i personalizuar. Mesfushori uellsian pritet të jetë gati për sfidat e fundvitit, kundër Sampdoria në kampionat dhe Lazio, në Superkupën e Italisë, e planifikuar për më 22 dhjetor.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit