Cannavaro analizon Juventusin, tregon pikat e forta dhe të dobëta të tij: Interi është i kompletuar më mirë

7 Dhjetor 2023
9:05
Alfred Lleshi
back button

Gjatë një interviste dhënë për gazetën “La Stampa”, Fabio Cannavaro analizoi fillimin e sezonit të Juventusit: “Allegri bëri mirë që besoi te të rinjtë, mendoj se do të mund të garojnë deri në fund për objektivat madhorë. Interi është më i kompletuar, e demonstroi këtë gjithashtu të dielën në Napoli. Sidoqoftë, Juve është skuadra që po bën më të mirën, duke qëndruar në majë dhe mos u dorëzuar kurrë”.

Për pikat e forta të kësaj skuadre të Juventusit, ky është mendimi i Cannavaro: “Mos luajtja në kupat europiane. Duket si një paradoks, sepse të luash në Europë të bën të rritesh, por përgatitja për ndeshjet një herë në javë është avantazh i madh”.

Dhe në vend të kësaj, për pikën e dobët të bardhezinjve, ai u shpreh kështu: “Ritmi. Kur luajnë lart, Juve vuan shumë. Megjithatë, kjo më duket se është mënyra e vetme për t’i nxjerrë bardhezinjtë përpara dhe goditur portën kundërshtare”.

Fabio Cannavaro e ka dhënë këtë intervistë në funksion të Juventus-Napoli, ndeshje që do të hapë javën e 15-të të Serie A, të premten në mbrëmje. “Në Torino mësova si të fitoj, – buzëqesh ai, – por Napoli është qyteti im. Pra, unë do të jem gjithmonë një tifoz napolitan”. Përballjen e fundjavës e shikon kështu: “Napoli është në rrezik më të madh sepse ka humbur ato siguri, me të cilat bëri diferencën sezonin e kaluar. E kam fjalën për lojën dhe cilësinë që arritën të shprehnin kampionët në kampionat, por tani kanë sikur e humbur rrugën”.

Cannavaro më pas mohoi të kishte negociuar me De Laurentiis, pas shkarkimit të Rudi Garcia: “Nuk kishte asgjë. Ata morën Mazzarrin, i cili e njeh mjedisin. Shpresojmë se ai mund ta zgjidhë situatën. Mazzarri riktheu pak qetësi, por dy humbjet e fundit nuk e stimulojnë kthesën, nuk ndihmojnë dhe për fat të keq ndjenja është se ajo lojë e sezonit të kaluar që i magjepsi të gjithë ka humbur përfundimisht”.

Mbi aventurën e shkurtër të Garcias në stolin e Napolit, ky është mendimi i Cannavaro: “U bë menjëherë e qartë se ai nuk e kishte dhomën e zhveshjes në kontroll, edhe pse mbërritja pas Spallettit nuk ishte e lehtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit