Capelo kritikon Juven, debaton “live” me Sarrin: Ndoshta unë pashë një ndeshje tjetër!

23 Tetor 2019
12:50
Alfred Lleshi
back button

Performanca e Juventusit në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Lokomotiv Moscow i ka ndarë tifozët dhe profesionistët e fushës. Bardhezinjtë gjendeshin në disavantazhin 1-0, që në fund të pjesës së parë, por e përmbysën gjithçka në dy minuta, afër fundit të ndeshjes, falë dy golave të Dybala. Argjentinasi largoi fantazmat, por jo kritikat, që u adresuan nga skuadra e Maurizio Sarri në rrjetet sociale.

Trajneri toskan, duke folur në mikrofonat e “Sky Sport”, i mbrojti të vetët, madje ishte protagonist i një debate me Fabio Capello. Ky i fundit ndodhej në studion televizive, në rolin e analistit të asaj që pa.

“Ne po luajmë çdo tri ditë. Me këtë intensitet, një ndeshje më pak e shkëlqyer mund të ndodhë për të gjithë. Në fund të lojës më thanë që kemi arritur rekordin e posedimit të topit, 77.8%, dhe të epërsisë territoriale, me 28 goditje të bëra drejt portës kundërshtare”. Në këtë moment erdhi ndërhyrja e Fabio Capello, që ishte skeptik: “Maurizio, më falni, m’u duk se thatë 28 goditje… Ndoshta unë paskam parë një ndeshje tjetër”. Sarri u përgjigj menjëherë: “Këto nuk janë numrat e mi, janë statistikat që më dhanë zyrtarët e UEFA-s në fund të ndeshjes”.

Polemika vijoi nga ana e Capello: “Sinqerisht nuk i pashë. Ndoshta kam shikuar një ndeshje tjetër. Unë i di mirë statistikat e UEFA-s, që jepen në fund të lojës, por shpesh nuk korrespondojnë me të vërtetën. Sonte, Juve fitoi me dy goditje nga jashtë zonës. Gabimi i portierit mik ishte vendimtar në shënimin e golit të dytë”. Në fund të debatit u vendos paqja dhe nuk munguan komplimentet për Sarrin: “Sidoqoftë, Maurizio, ne jemi të lumtur për ju”! Ndër më të kritikuarit, pas ndeshjes së mbrëmshme, edhe njëherë ishte De Ligt. Sidoqoftë, 20-vjeçari holandez mbrojti veten: “Unë mendoj se kam luajtur mirë, isha i qëndrueshëm dhe i fortë, nuk kam bërë shumë gabime. Kritikat? Unë nuk lexoj shumë për të thënë të vërtetën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit