Casemiro kundër Zidane: Bale, njëri nga tre lojtarët më të mirë në botë

5 Gusht 2020
11:31
Alfred Lleshi
back button

Gareth Bale është njëri ndër tre futbollistët kryesorë në botë, kur luan në maksimumin e tij, sipas Casemiro, i cili insiston se uellsiani është ende shumë i rëndësishëm për Real Madridin. Pozicioni i Bale në “Santiago Bernabeu” ka qenë subjekt i shumë spekulimeve, që nga kthimi i Zinedine Zidane në drejtimin e të bardhëve, në mars 2019. 31-vjeçari iu kërkua transferimi në Kinë verën e kaluar, për një shumë të madhe parash, pasi fillimisht u vlerësua si i tepërt nga trajneri francez, por më pas kjo çështje mori kthesë të papritur.

Bale që atëherë e ka parë veten të kufizuar në fushë, duke bërë vetëm 20 paraqitje në të gjitha garat, këtë sezon. Ai nuk u pa të festonte për titullin e La Liga-s, muajin e kaluar, ndaj është sugjeruar se koha e tij në kryeqytetin spanjoll do të përfundojë së shpejti. Ish-mesfushori i Tottenham, Danny Murphy, ka qenë në mesin e atyre që e këshillojnë uellsianin të kthehet në veri të Londrës dhe të rizbulojë “pasionin” e tij për lojën, ndërsa Manchester United, gjithashtu, shihet si një destinacion i mundshëm për anësorin.

Sidoqoftë, Casemiro është i bindur që bashkëlojtari i tij ka ende për të dhënë në “Bernabeu” dhe se mbetet plotësisht i përkushtuar për kauzën, përpara sfidës së kthimit të 1/8 finale të Champions-it. “Ai është duke punuar, – tha braziliani për “Esporte Interativo”.– Gareth e di se nuk është koha më e mirë në karrierën e tij, por ka mbështetjen tonë, të trajnerit dhe të klubit. Ai është shumë i rëndësishëm për ne, mund të bëjë surpriza në çdo kohë, gjë që tashmë e ka treguar. Bale është një lojtar vendimtar, që shënon gola në finalet e Champions-it. Ne duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se nuk është në më të mirën e tij, por kur është i tillë, bëhet i pabesueshëm, njëri ndër tre më të mirët në botë. Unë e dua shumë dhe kjo është arsyeja pse përpiqem të kujdesem për të sa më shumë që mundem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit