Cassano “masakron” Conte? Paguhet 12 milionë € në sezon, futbollin më të mirë e luajti Sarri

14 Janar 2021
12:23
Alfred Lleshi
back button

Kjo e diel është një ditë e madhe për Serie A, pasi Interi pret Juventusin në “San Siro”. Ndeshja vjen me Milanin në vendin e parë, zikaltrit në të dytin, me tri pikë më pak; ndërsa “Zonja e Vjetër” në vendin e katërt, me katër pikë prapa të besuarve të Conte. Kujtojmë se Juve ka një ndeshje më pak.

Christian Vieri, Daniele Adani, Nicola Ventola dhe Antonio Cassano kanë folur për këtë ndeshje në bisedën e tyre javore në “Twitch”. Këto janë fjalët e ish-talentit barez, që si zakonisht bie më shumë në sy me ato që nxjerr nga goja. Si për përmbajtjen, ashtu edhe për mprehtësinë e mesazhit. Antonio Conte është objektivi kryesor i “Fantantonio”…

Inter-Juventus
“Nëse Interi humbet ndaj Juves të dielën, ashtu si bardhezinjtë, nëse do të kishin humbur ndaj Milanit, ekziston një rrezik i konsiderueshëm i daljes nga lufta për titull. Juve, Atalanta dhe Roma i arrijnë zikaltrit, të gjithë me nga një ndeshje më pak. Milani luan kundër Cagliari dhe mund të arratiset me gjashtë pikë avantazh. Juve, nëse fiton, do të kërcënonte cilindo”.

Sulmi ndaj Conte
“Unë marr përgjegjësinë dhe shkoj drejt e në temë. A jemi të sigurt se Conte është një trajner i shkëlqyeshëm? Kujtoni pak Flick, Zidane, Koeman, Guardiola… Nëse jeni një trajner kampion, askush nuk iu thotë jo lojtarëve të mëdhenj, por eja këtu. Nëse keni Xavi, Iniesta, Pirlo apo Xabi Alonso, një kampion mund të mos i shpëtojë kësaj. Por, me mungesën e lojtarëve cilësorë në mesfushë, duke marrë parasysh se është një trajner i punësuar për të luajtur mirë futboll, dhe se klubi i ka dhënë gjithçka që kërkoi… Ai merr 12 milionë euro dhe të gjithë thonë se është një trajner i shkëlqyeshëm…”

Krahasimi me Valverde dhe Sarri
“Nuk mjafton të fitosh, që të thuash se je një trajner i shkëlqyeshëm. Valverde fitoi me Barcelonën. E përsëris: Conte paguhet 12 milionë euro, 12! Futbolli më i mirë i 20 viteve të fundit në Itali është bërë nga Sarri. Nëse Conte nuk fiton titullin, ai duhet të largohet”.

Bilanci i sezonit të Interit
“Sipas mendimit tim, i kaluari ishte një sezon i mirë, por ky aktuali tashmë ka pësuar një ‘masakër’; duke u eliminuar nga Champions-i dhe luajtur shumë keq, edhe pse ka lojtarë më të mirë se vitin e kaluar. Ndonjëherë është sikur të thoshte: Klubi nuk më ka sjellë lojtarët e duhur. Jo, Hakimi dhe Vidal, lojtarë të nivelit të lartë kanë arritur. Me Juven në telashe, unë prisja Interin me një avantazh prej pesë apo gjashtë pikësh. Interi pritej në krye, jo Milani. Conte është një trajner i shkëlqyeshëm për pagën që merr, por nuk po e tregon me rezultate tek Interi. Këtë vit është i detyruar të fitojë dhe kushdo që mendon ndryshe, thotë m*t. Nëse nuk fiton titullin, duhet të largohet”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit