Ceferin: Nuk duam ta dëmtojmë futbollin. S’ka ndeshje në fundjavë

17 Maj 2019
22:44
Denis Hakanaj
back button

Presidenti Ceferin dhe administrata e UEFA-s janë takuar të premten në Budapest me presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm të 55 Federatave ndërkombëtare të UEFA-s për të diskutuar në lidhje me reformën e kompeticioneve europiane për klube pas 2024-ës. 

Ka qenë një takim i zhvilluar për të kërkuar arritjen e një marrëveshjeje dhe për të dëgjuar propozime dhe opinione. Në qendër të vëmendjes, siç mund të pritej, kanë qenë propozimet e bëra nga ECA (Shoqata e Klubeve Europiane) në lidhje me formatin e kupave të reja. 

Propozime që janë kundërshtar me forcë nga pjesa më e madhe e federatave europiane, por numri 1 i futbollit europian, Aleksander Ceferin, i ka siguruar të gjithë.

"Ka qenë një takim i rëndësishëm, sepse federatat kanë pasur mundësinë të japin një mendim sesi duhet të jenë kompeticionet e ardhshme të klubeve", ka shpjeguar Ceferin. "Janë shprehur opinione të ndryshme, të cilat do t'i kemi parasysh kur të përballemi me këtë argument". 

Ceferin ka folur më pas edhe për ato që mund të jenë zgjidhjet për futbollin e së ardhmes: "Kërkojmë një rrugë që të kënaqë nevojat e futbollit në të gjithë Europën. Vetëm UEFA shpërndan para përtej kufijve kombëtarë, kështu që duhet ta marrim shumë seriozisht këtë çështje".

"Kam thënë përsëri se ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s për klube nuk do të luhen në fundjavë, me përjashtim të finales së Champions League. Nuk do të vendosim asgjë pa dëgjuar mendimin e të gjithëve dhe nuk do të pranojmë kurrë ndryshime që dëmtojnë futbollin europian", ka thënë numri një i UEFA-s.   

Lajme të tjera

Lajmet e fundit