Çështja “Messi dhe Neymar”; ish-presidenti i Barçës kryqëzon drejtësinë spanjolle

28 Maj 2020
13:48
Alfred Lleshi

Ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, që provoi edhe burgun në përballjen me drejtësinë spanjolle, të cilën e kryqëzon fort në rrëfimin e sotëm, me rastin e botimit të librit të tij, ndalet edhe te çështja “Neymar”, për të cilën u akuza dhe përfundoi pas hekurave, apo dënimi i Leo Messit për evazion fiskal, ndër të tjera.

Çështja “Neymar”
“Ishte mbyllur, por duket se dikush e ka detyruar gjykatën ta hapë atë. Teknikisht nuk ka asgjë, absolutisht asgjë të paligjshme në atë transferim. Është një klub që blen një lojtar, nuk e di se çfarë tjetër mund të shpjegohet, bashkë me të drejta të tjera. Ende e kam shumë të vështirë të kuptoj pse u hap si çështje. Unë vetëm mund të mendoj se do të gjej gjyqtarë të drejtë dhe se do të pastrohem përsëri nga akuzat absurde. Meqenëse e kam vuajtur tashmë pjesën e keqe të drejtësisë, kuptoj se kësi gjërash mund të ndodhin, por nuk është e drejtë”.

Çështja “Messi
“Unë nuk i di detajet e çështjes së Messit. Drejtësia në këtë vend nuk pushon së më befasuari me hetime të pamjaftueshme, por të stimuluara kushedi nga kush. Unë nuk mund të komentoj, sepse nuk e njoh atë çështje në thellësi. Kur dikush në shtet dëshiron të dëmtojë dikë, është e lehtë ta bëjë këtë përmes rrugës së taksave. Kur duhet të akuzosh dikë në mënyrë të dyshimtë, gjithmonë flitet për pastrim parash ose krim tatimor. Pikërisht këtu përmblidhet e gjitha”.

Joshja për t’u pajtuar
“Në aspektin total, jo, por ndonjëherë mendoni se ky tunel nuk mbaron dhe e vetmja rrugëdalje është duke rënë dakord me akuzat e pavërteta në rolin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, atë që bëjnë shumë njerëz nga halli. Do të ishte shumë mirë për drejtësinë, nëse askush nuk pajtohet kështu me të, sepse është një armë e përdorur shumë nga prokurorët joprofesionistë”.

Të burgosurit e pavarësisë
“Barça ka ndihmuar shumë për t’i shpjeguar botës situatën e padrejtë të politikanëve të burgosur, të cilët kërkojnë pavarësinë e Katalonjës”.

E ardhmja
“Unë ende vuaj përndjekjen fiskale dhe e gjithë kjo ma largon dëshirën për të krijuar gjëra të reja. Tani për tani nuk e di se çfarë do të bëj. Unë kam për ta rikrijuar veten, sepse nuk mund ta kalosh tërë ditën duke mos bërë asgjë. Më pëlqen marketingu sportiv dhe futbolli në bazë, por nuk e di se çfarë do të bëj. Ende po kërkoj të vërtetën, drejtësia nuk ka funksionuar dhe duhet ta pyes veten pse. Kjo gjë më rëndon shumë. Drejtësia vetë duhet të hetojë sipas detyrës zyrtare”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit