Çfarë bëri Oliver Kahn, që kujtohet si armiku më i madh publik në “Bernabéu”?!

28 Maj 2020
14:19
Alfred Lleshi
back button

Real Madridi dhe “Santiago Bernabéu” kanë pasur pak, nëse ka të tillë, armiq publikë kaq të rëndësishëm sa ish-portieri gjerman, Oliver Kahn. Njeriu që u zgjodh portieri më i mirë në botë në shumë raste është një nga rivalët më të mëdhenj në historinë e skuadrës së bardhë.

Kahn është përballur me Real Madridin 12 herë, të gjitha në Ligën e Kampionëve, midis viteve 2000 dhe 2007. 10 raste prej tyre në fazën eliminatore, nga të cilat Bayerni i tij doli fitimtar 2 herë dhe u mund 3 herë. Sfidat e tjera dolën në barazim. Herën e parë që Kahn i mposhti “Los Blancos” në raundin e dytë të Champions-it ishte sezoni 1999-2000. Bayerni i fitoi të dyja ndeshjet, njërën prej tyre me rezultatin 4-1.

Real Madridi do të ringrihej nga ajo goditje dhe vetëm disa muaj më vonë, dy skuadrat do të takoheshin në gjysmëfinale. Galaktikët e nisën me këmbën e djathtë, falë një 2-0 në “Bernabéu” dhe një loje shumë të tensionuar, në të cilën Kahn u përball me pothuajse të gjithë rivalët e tij, madje edhe me tifozët e bardhë, të cilëve iu tregoi katër gishta të dorën e tij si tallje për fitoren e mëparshme. Në Mynih, Bayerni do të merrte një rezultat 2-1, i pamjaftueshëm për t’u kualifikuar në finale. Real Madridi do të përfundonte duke fituar Champions-in e tetë, pas finales kundër Valencias.

Bayerni do të hakmerrej sezonin e ardhshëm, me një Kahn të pakalueshëm, i cili pësoi vetëm një gol në të dyja ndeshjet, duke siguruar Champions-in e katërt. Në sezonin 2001-2002, dy skuadrat do të mateshin për të tretin vit radhazi. Do të ndodhte në çerekfinale, ndeshja e parë e së cilës, në Mynih, nxori fitues Bayernin 2-1. Pas asaj ndeshjeje, lojtarë si Salihamidzic siguruan se Real Madridi nuk mund t’i mposhte më.

Kahn shkoi edhe më tej, teksa i sfidoi të bardhët: “Ata nuk më shënojnë dot dy gola në “Bernabéu”, vetëm nëse unë shkoj atje i dehur”. Rezultati nuk ishte ai që pritej për të, pasi Helguera dhe Guti e kualifikuan Real Madridin në gjysmëfinale, në rrugën drejt Champions-it të nëntë.

Kahn do të përballej edhe në dy raunde kualifikuese me galaktikët, më 2004 dhe në 2007. Nga një triumf për secilën skuadër, shoqëruar me tensionin e zakonshëm të lojës, si dhe agresivitetin e lojtarëve si Kahn, edhe pse ishte një vit para daljes në pension, 38 vjeç.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit