Çfarë dileme për tifozët e United: a është më mirë humbja në derbi?!

24 Prill 2019
12:09
back button

Sot në mbrëmje Manchester United do të presë Manchester City-n dhe llogaritë janë të qarta: nëse fiton United, shpreson ende te vendi i katërt, nëse fiton City, është me njërën dorë te titulli.

Natyrisht, në këtë rast është e qartë, do të jetë një betejë e egër, që ia vlen të shihet, sepse barazimi do jetë si humbje për të dyja palët.

Megjithatë, nuk është kaq e thjeshtë, sepse klubi i tretë më i interesuar për rezultatin e ndeshjes së sotme është… Liverpool!

The Reds mund të shpallen kampionë nëse Manchester City ndalet sot dhe këtu nis dilema e madhe e tifozëve të Manchester United, sepse nëse ka diçka që u dhemb më shumë se humbja në derbi, ajo është që Liverpool të fitojë titullin falë ndihmës së United!

Për këtë arsye, një ndër faqet më popullore të tifozëve të United në Twitter, "United Xtra", ka publikuar një sondazh, ku kanë votuar mijëra tifozë në pak orë: "Tifozë, çfarë dëshironi të ndodhë? Fitore në derbi, kualifikim në Champions dhe Liverpool kampion? Apo humbje, kualifikim në Europa League dhe City kampion?".

Dilema është e madhe, debati po ashtu, edhe pse për momentin janë në avantazh të lehtë votuesit që duan fitore në derbi. Shumë tifozë komentojnë mbi arsyet pse Liverpool nuk duhet të shpallet kampion, shumë të tjerë duan fair-play, ndërkohë që ka edhe nga ata që evidentojnë diçka interesante: Edhe nëse Man Utd fiton dhe e mbyll sezonin i katërti, vendi në Champions League do të digjej nëse Arsenali apo Chelsea fitojnë Europa League dhe përfundojnë poshtë Man Utd në renditje!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit