Çfarë i mungon Interit? Conte refuzon të përgjigjet: Po deshët më masakroni…

10 Korrik 2020
9:07
Alfred Lleshi
back button

Interi nuk “ndezi” përsëri. Pas humbjes në shtëpi kundër Bologna, zikaltrit u ndalën në barazim në Verona dhe zbresin në vendin e katërt të Serie A, pas Atalantës. Antonio Conte, i intervistuar nga “Sky Sport” në fund të lojës, tha se kësaj radhe, megjithatë, është i kënaqur me performancën e të tijve: “Nga këndvështrimi i dëshirës dhe vendosmërisë, unë nuk kam asgjë për t’i qortuar djemtë. Ne kemi luajtur kundër një skuadre, që ka pasur një ritëm të lartë gjithë kampionatin. Mbetet keqardhja e zakonshme që pësojmë gol në pesë minutat e fundit. Mendoj se do ta kishim merituar fitoren. Ne po bëjmë një punë të rëndësishme, po punojmë shumë. Kemi humbur 20 pikë nga situatat e avantazhit? Kjo duhet të na bëjë të mendojmë. Kemi humbur pikë vërtet në këtë mënyrë, ndryshe do të flisnim për një renditje tjetër”.

Për t’u shqetësuar, sipas Conte, janë edhe kushtet fizike të Lukakut, i cili doli i dëmtuar nga “Bentegodi”: “Shpresojmë se nuk është asgjë e veçantë, ai pati një problem me shpinën”. Trajneri zikaltër është përpjekur të shpjegojë se çfarë nuk ka funksionuar tek Interi i tij prej disa ndeshjesh: “Unë mendoj se përvoja. Duke luajtur më shumë ndeshje, mund të përmirësohemi në menaxhimin e situatave të tilla. Ndonjëherë futemi në telashe shumë kollaj. Eriksen? Nëse shihni numrat e Interit nga rifillimi i kampionatit, kemi përqindjen më të madhe të posedimit, indeksin më të lartë të rrezikshmërisë. Ai ka luajtur shumë ndeshje, po rritet dhe po mundohemi ta vendosim në një kontekst ideal për karakteristikat që ka. Nga ana tjetër, Borja Valero po bën gjëra të mëdha. Në kushtet e ndeshjeve çdo tri ditë, jemi të detyruar të bëjmë rotacione në formacion”.

Përkundrazi, Conte preferon të mos i përgjigjet asaj që i mungon Interit për të garuar në nivelet më të larta: “Më pëlqen të them që e kritikoj skuadrën, por nuk është kështu. Unë flas me lojtarët dhe përpiqem të përmirësoj situata të caktuara. Çfarë na mungon? Unë nuk përgjigjem, nesër më masakroni për këtë refuzim, po deshët… Nëse më duhet të them diçka në fund të sezonit, do t’i parashtroj disa konsiderata para klubit. Të gjithë do të donin të fitonin, por duhet të kuptoni se sa afër ose larg jeni në gjendje ta bëni këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit