Europa League

Chelsea fiton me “poker”, Grezda e sheh barazimin e Rangers nga stoli

Grupi L: Chelsea 15, BATE 6, MOL Vidi 6, PAOK 3

Chelsea ka mposhtur me lehtësi grekët e PAOK me rezultatin e pastër 4-0. Blutë e kishin siguruar kreun e grupit pasi BATE mposhti MOL Vidi-n dy orë më parë, por gjithsesi kanë luajtur për fitore që nga minuta e parë duke vijuar ecurinë e përsosur në Europa League. PAOK ia bëri punën shumë të lehtë vendasve me kartonin e kuq që në minutën e 7’ dhe dy golat e Giroud që në pjesën e parë siguruan fitoren e ekipit të Sarri-t. Pas pushimit ishte edhe i riu Hudson-Odoi ai që gjeti rrjetën bashkë me Alvaro Morata i futur në fund. Lufta për vendin tjetër të kualifikimit është akoma e hapur, dhe të tre ekipet kanë akoma shpresa për të avancuar.

Grupi G: Villarreal 7, Rapid Vienna 7, Rangers 6, Spartak Moscow 5

Ndërkohë Rangers nuk ka arritur të kënaqë tifozët e tij në ndeshjen ndaj Villarreal teksa ka barazuar 0-0 me një lojtar më pak. Sulmuesi i përfaqësueses sonë Eros Grezda nuk është aktivizuar dhe kjo edhe për shkak të kartonit të kuq të Candeias. Situata në grupin G mbetet e hapur teksa të katër skuadrat kanë shpresa për t’u kualifikuar.

 

Grupi H: Frankfurt 15, Lazio 9, Apollon 4, Marseille 1

Eintracht ka shkatërruar Marseille 4-0 duke siguruar vendin e parë në grup teksa Lazio ka humbur 2-0 ndaj Apollon, por ekipi i Inzaghi-t nuk rrezikon pasi e ka siguruar vendin e dytë.

Grupi K: Dyn. Kyiv 11, Astana 8, Rennes 6, Jablonec 2

Rennes ka mposhtur Jablonec 1-0 duke mbajtur gjallë shpresat e një kualifikimi në ndeshjen e fundit. Skuadra franceze do të presë vendin e dytë Astana dhe me një fitore mund të kualifikohet për në fazën e nokautit, ndërsa Astana-s i mjafton një barazim.

Grupi I: Genk 8, Besiktas 7, Malmo 6, Sarpsborg 5

Besiktas ka përmbysur gjithçka duke fituar 3-2 në fund ndaj Sarpsborg ndërsa Genk ka barazuar 2-2 me Malmo. Gjithçka mbetet e hapur dhe ndeshjet e fundit do të vendosin se kush do të kualifikohet më tej.

Grupi J: Krasnodar 12, Sevilla 9, St. Liege 9, Akhisar 0

St Liege ka mposhtur 1-0 Sevilla-n në një ndeshje fantastike duke barazuar me pikë. Belgët do të ketë një avantazh në ndeshjen e fundit pasi luajnë me vendin e fundit, ndërsa spanjollët e kanë me kryesuesit e Krasnodar.

Më shumë nga Europa League