Chiellini: Totti ishte një gjeni, e meritonte “Topin e Artë” para Shevchenkos

29 Qershor 2020
16:02
Alfred Lleshi
back button

Brenda autobiografisë së Giorgio Chiellini nuk gjenden vetëm rrëfime plot “helm” për Balotelli dhe Felipe Melo, që shkaktuan stuhi në publik, por edhe ato tërë “mjaltë” për Francesco Totti, kundërshtar i një jete, por partner në ekipin kombëtar, me fanellën e Italisë. Sipas mbrojtësit të Juventusit, ish-kapiteni i Romës e meritonte “Topin e Artë” më shumë sesa Shevchenko apo Owen. “Ai mund ta kishte fituar vërtet “Topin e Artë”, përpara hegjemonisë së të huajve. Ky trofe iu dha lojtarëve si Owen apo Shevchenko, dy lojtarë të mëdhenj, por sigurisht jo më të mirë se Totti”, – shkruan Chiellini.

Më tej, kapiteni bardhezi shton: “Francesco ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Ndoshta ishte mëkat të mos e shihnim atë të performonte edhe në skena të tjera, por nga një këndvështrim romantik, ishte e mrekullueshme që ia kushtoi tërë karrierën Romës. Kush mendon se kjo ishte një zgjedhje e leverdisshme për të, nuk kupton asgjë. Ishte vetëm një zgjedhje dashurie. Ai kishte sy edhe pas kokës, ishte në gjendje të bënte lojëra që askush nuk mund t’i imagjinonte. E pashë teksa lunate futboll fantastik, së pari me një fizik shpërthyes dhe më pas me një klas të jashtëzakonshëm teknik, megjithëse me një ritëm të ngadaltë. Totti ishte një kampion i vërtetë në nivel teknik, mendor dhe kompetitiv. Thjesht një gjeni”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit