Chiesa, rrëfim tronditës për karrierën: 13 vjeç isha gati ta braktisja futbollin

17 Maj 2021
13:39
Alfred Lleshi
back button

“Unë kisha një karrierë disi të përpjetë në ekipet e të rinjve. Në moshën 13-vjeçare kam kaluar një kohë të keqe, sepse pashë shokët e mi të ekipit të rriteshin fizikisht dhe teknikisht, të përmirësoheshin dhe të luanin çdo të diel, ndërsa unë po luftoja për të mbajtur ritmin dhe duhej të tërhiqesha. Në një vit isha në gjendje të luaja për disa minuta. Ishte aq e vështirë sa që mendova të lë futbollin”.

Kështu e tregon Federico Chiesa, lojtar i Juventusit, periudhën e ndërlikuar që kaloi kur ishte djalosh i ri dhe ëndërronte të shkelte fushat më prestigjioze. I intervistuar nga Mauro Berruto, ish-lojtari i Fiorentinës shton më tej: “Me pak vendosmëri dhe ndihmën e prindërve të mi dhe një trajner që më bëri të rritesha si njeri fillova ta konsideroja stërvitjen e përditshme si ndeshjen time, sfidën personale. Falë këtij bashkëpunimi ia arrita ta kapërcej atë moment të vështirë. Talenti për mua është një predispozitë për të bërë diçka, të cilin të gjithë e kanë, por fatkeqësisht shumë kalojnë një jetë duke u përpjekur ta zbulojnë atë dhe të tjerët ende nuk mund ta kuptojnë.

Unë isha me fat, sepse e kuptova që në moshë të vogël talentin për futbollin, në vend që ta kapja topin me duar e godisja me këmbë. Gjithashtu, mendoj se duhet të jesh i mirë në ndërtimin e fatit tënd. Nëse përqendrohesh në mendime negative tërheq fat të keq, nëse në vend të kësaj tregon vendosmëri, pozitivitet dhe dëshirë për ta përmirësuar veten, argëtohesh dhe stërvitesh me shokët e tu të skuadrës, fati vjen. Në sport është qëndrueshmëria e punës që bën diferencën, sepse sjell qëndrueshmëri në performancë dhe rezultate.

Shokët e mi të skuadrës më përshkruajnë si një lojtar më bujar sesa të talentuar. Vlera ime e vërtetë është se çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje jap gjithçka, kam punuar shumë për të arritur këtu ku jam tani. Mendimi im fiks është të ngjitem sa më lart çdo ditë. Kjo karakteristikë e imja e ka bërë ndryshimin në karrierë, duke më sjellë te Juve, një nga klubet më të mira në botë”.

Federico ishte në gjendje të mbështetej te familja dhe babai i tij, Enrico, kampioni italian i futbollit i viteve ’90: “Prindërit e mi më mësuan vlerën e përulësisë, respektin për atë që bën dhe rëndësinë e përpjekjes gjithmonë për të përmirësuar veten, gjë që duhet ta bësh gjithmonë në jetë. Unë gjithashtu kisha tre trajnerë, që më ndihmuan. Në fakt, ata kanë qenë arsimtarë për mua më shumë se trajnerë. Filozofia e Juves është të fitosh gjithmonë, kurrë mos u dorëzo dhe vazhdo të përmirësohesh.

Ardhja këtu mund të ketë qenë fat, por pastaj duhet ta konfirmosh veten çdo ditë në nivele të larta. Kjo është pjesa vërtet e vështirë e kësaj pune. Është një presion i fortë, por gjithashtu nder dhe lumturi e madhe të vesh fanellën e një klubi, ku shumë fëmijë dhe futbollistë ëndërrojnë të luajnë. Këtu e di që çdo ditë mund të përmirësoj çdo aspekt të lojës sime, sepse stërvitem me kampionë të mëdhenj, nga të cilët vetëm duhet të mësoj”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit