Çifti “Beckham” bëhet më i pasur, perandoria e tyre vlerësohet mbi 400 milionë euro

22 Janar 2021
12:38
Alfred Lleshi

Më shumë sesa një yll futbolli, David Beckham tani është një sipërmarrës i vetvetes, një markë tregtare dhe një garanci e suksesit. Dalja në “pension futbolli” nuk ka ndikuar në rritjen e aseteve të ish-lojtarit të Manchester United dhe gruas së tij, Victoria, të cilët, sipas “Celebrity Net Worth”, vlejnë gati 400 milionë euro. Sipas llogarive të depozituara, më 2019 dividentët e përgjithshëm të çiftit u rritën me gati 4 milionë euro nga viti pararadhës. “The Guardian”, gjithashtu vëren se çifti fitoi 7.8 milionë euro të tjera në pagesa të përkohshme të dividendit, më 2020. Por, kjo nuk është e gjitha.

Shifra më e bujshme është ajo e lidhur me të drejtat e imazhit, e cila vetëm në vitin 2019 iu ka sjellë David dhe Victoria Beckham shumën prej 14.5 milionë stërlina, ose mbi 16 milionë euro, pothuajse 45 mijë euro në ditë. Fitimet janë në rritje falë sponsorizimeve të tilla si ato me “Adidas”, uiski “Haig Club” dhe grupin e hotelit “Sands”, të gjitha të menaxhuara nga “David Beckham Ventures Limited” (DBVL), e cila gjithashtu përfshin pjesën e lidhur me Inter Miami CF, që kohët e fundit është vënë në qendër të polemikave për shkak të emrit shumë të ngjashëm me kuqezinjtë e Milanos.

Pavarësisht humbjeve të mëdha, të raportuara për shkak të pandemisë së Covid-19, marka e modës luksoze “Victoria Beckham”, në vitin 2019 kishte regjistruar një rritje në shitje prej 2.5 milionë stërlinash. Sa për pronat në pronësi të Beckham ndër vite, si mund ta harrojmë “Beckingham Palace”, të cilin çifti e bleu më 1999 për 3.3 milionë dollarë. Në kohën e Los Angeles Galaxy, “Spice Boy” bleu gjithashtu një rezidencë në Beverly Hills për 18.7 milionë dollarë, e cila më vonë u shit për 33 milionë dollarë. Prona të tjera përfshijnë një shtëpi gati 4 milionëshe në jug të Francës, një pallat 40 milionësh në Londrën perëndimore dhe një hambar 8 milionësh në Oxfordshire të Anglisë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit