Cikalleshi i druhet Izraelit: Do të luajmë me dy sulmues, po nuk shënuam…

21 Shtator 2022
14:18
Alfred Lleshi
back button

Nga grumbullimi i kombëtares në Durrës ka dalë në konferencë për shtyp Sokol Cikalleshi. Sulmuesi ynë kuqezi është transferuar në Arabi kësaj vere, një lëvizje që mund t’ia minojë deri diku “valencat” me fanellën kuqezi. Sidoqoftë, ai thotë se do të japë gjithçka, sa herë të ftohet nga trajneri Edy Reja.

Izraelin e konsideron kundërshtar të fortë, ndaj të cilit mund të arrihet sukses duke korigjuar gabimet e ndeshjeve të fundit: “Golat e munguar? Po punojmë shumë këtë javë edhe në këtë aspekt. Po bëjmë më të mirën, edhe pse grupi nuk është i plotë. Shpresojmë të bëjmë ndeshjen që duam, duke shkuar te pikët. Skema? Besoj se do të luajmë me dy sulmues, kështu po stërvitemi. Harmonia në grup, kjo do të na çojë te suksesi.

Po bazohemi edhe te ndeshja e shkuar me Izraelin. Kemi bërë gabime që mund të evitoheshin, po analizojmë gjithçka me video. Duhet t’i korigjojmë gabimet. Kemi një kundërshtar të vështirë përpara. Shpresoj të shënojmë për të marrë tri pikët, kjo na hyn në punë.

Kalimi në Arabi? Jam pak larg, kam kontratë një vjeçare. Po tentoj një aventurë të re, pas këtij viti mund të kthehem te Konya, sepse jam në huazim. Në momentin që trajneri Reja e mendon se mund të shërbej si brenda dhe jashtë fushe, jam gati për kombëtaren. Kampionati në Arabi nuk është si ai turk. Nëse shënoj, besoj se edhe ftesa nuk do të më mungojë. Nëse nuk do të jem në formë, edhe kombëtaren nuk e ndihmoj dot. Le t’ia lëmë kohës.

Ndeshja është e vështirë, në sfidat e shkuara kemi fituar edhe në Izrael. Po shohim të gjitha mundësitë, ndoshta trajneri ndryshon edhe skemën për të luajtur më shumë në sulm. Ndoshta do të ketë edhe ndryshime taktike. Jam i sigurt se trajneri do të bëjë më të mirën me këtë pjesë.

Eljon Toçi, “Cikalleshi i ri”? Është një ogur i mirë, një lojtar me potencial. Ka kohë për t’u përmirësuar. Të bëjë më të mirën tek ekipi i tij dhe do ta meritojë vendin në kombëtare. Të bëhet shumë herë më i mirë se Cikalleshi, të mos e krahasojnë me mua”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit