Cikalleshi: Na kënaq edhe barazimi ndaj Polonisë. Lideri tregohet në fushë, jo me fjalë…

20 Mars 2023
14:18
Alfred Lleshi
back button

Kombëtarja kuqezi ka nisur sot grumbullimin në funksion të përgatitjeve për ndeshjen e 27 marsit në Poloni. Nën drejtimin e një trajneri të ri tashmë, brazilianit Sylvinho, të ftuarit nga ky i fundit po “karikojnë bateritë” për kualifikuesen e parë të “Euro 2024”. Një transfertë mjaft delikate, ndaj favoritit kryesor në grup. Në konferencë për shtyp ka dalë sot Sokol Cikalleshi, një nga veteranët kuqezinj, i cili iu është pëgjigjur pyetjeve të gazetarëve:

“Për ne fillon një edicion i ri, ndeshja e parë është më e vështira. Duke u nisur nga ndeshjet e kaluara, ku morëm rezultat pozitiv në atë kohë, shpresoj ta arrijmë përsëri. Nuk jam i vetmi lojtar në sulm, shpresoj se kushdo që do të luajë të japë maksimumin. Dhe në fund shpresoj të marrim rezultat pozitiv.

Stafi i ri i trajnerëve sapo ka ardhur. Koha është e shkurtër, por shpresojmë që në këto ditë të bëjmë më të mirën. E thashë që është ndeshja më e vështirë e këtij edicioni, por nga ana tjetër mund të bëhet ndeshje që të na japë shtysën për të arritur maksimumin dhe kualifikimin.

Lojtarët që mungojnë nga dëmtimet janë nga më të rëndësishmit dhe këtë gjë e kanë treguar në fushën e lojës. Na kanë munguar edhe në ndeshjen që kemi luajtur me Poloninë këtu, sepse edhe atëherë kishim shumë mungesa, po ndodh e njëjta gjë, por gjithsesi dua të shoh anën pozitive. Shpresoj se kushdo të jetë në fushë të bëjë më të mirën.

Ajo që u mund të them sot është se duke qenë se kemi dalë nga dy ndeshje me pishmane ndaj Polonisë, duhet të bëjmë një analizë të thellë dhe të mos dalim si dy ndeshjet e para. Grumbullimi filloi vetëm dje, kam pasur një bisedë të thjeshtë me trajnerin.

Nuk dua ta quaj veten lider, pasi lideri i mirë e tregon veten me vepra dhe jo me fjalë. Unë jam munduar që si në fushë, edhe jashtë të jap më të mirën. Sigurisht nëse do të më besohej, ndihem gati të jem lider, por rëndësi ka të jemi mirë me njëri-tjetrin dhe grupi të jetë më i fortë, pasi vetëm ashtu mund të shkojmë afër kualifikimit.

A na kënaq një pikë në Poloni? Në momentin që do të luash një ndeshje, pavarësisht kë ke përballë, qëllimi është të hysh në fushë për të fituar. Duke qenë se kemi një kundërshtar direkt, edhe barazimi nuk do të ishte keq. Gjithmonë shkojmë për ta fituar ndeshjen, edhe pse duhet thënë se është një ekip shumë i vështirë. Megjithatë, edhe ne kemi një grup shumë të mirë lojtarësh”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit