Cilin po shigjeton Kristi Vangjeli: Historia nuk flet për dështakët…

1 Tetor 2019
15:40
Alfred Lleshi
back button

Tirana humbi derbin e radhës, nuk e prishi dot agjërimin 5-vjeçar të përballjeve të pasuksesshme me “demat e kuq”. Pavarësisht përforcimeve me disa kampionë të sprovuar te Skënderbeu i arritjeve të mëdha në Europë (tashmë të eklipsuara nga dënimi kapital i UEFA-s), si Tefik Osmani dhe Kristi Vangjeli, skuadra bardheblu nuk gjeti derman as në derbin e parë të këtij sezoni me Partizanin.

Sidoqoftë, mbeten edhe tri derbe të tjera në këtë kampionat, ndoshta mund të përvijohet ndonjë tjetër edhe në Kupën e Shqipërisë, ku i dihet. Pra, ka kohë e mundësi për ta ndalur këtë zhgënjim të madh te 24 herë kampionët e vendit. Ndoshta pesë vite pa fitore në derbin e madh të kryeqytetit, që për tifozët vlen sa titulli kampion,  janë shumë, por më mirë vonë se kurrë. Dihen tashmë “plagët” që la përballja e së dielës te Tirana.

Veç humbjes 2-1, incidentet e rënda mes tifozëve pritet t’i kushtojnë shumë klubit bardheblu. Gjoba e rëndë duket e sigurt, por edhe pezullimi i tifozëve konsiderohet i pashmangshëm nga Komisioni i Disiplinës. Heshtja ka kapluar klubin më të titulluar të futbollit në vend, ndërkohë që presidenti Refik Halili ka shkarkuar të parin drejtorin e “Selman Stermasi”. Për të dhënë “shenja jete” nga Tirana ka menduar Kristi Vangjeli, që nuk u duk fort i lumtur me trajnerin Mema, kur e zëvendësoi.

Me siguri, aktivizimi i tij në qendër të mbrojtjes ka qenë një “thikë me dy presa” për atë vetë dhe skuadrën. Gabimet në të dy golat e Partizanit ndodhën pikërisht aty. Specialistët e kritikuan trajnerin bardheblu për këtë “arnim”, duke mos e justifikuar kurrsesi spostimin e mbrojtësit korçar në qendër. Në këtë pikë, Vangjeli duket i “amnistuar” publikisht nga përgjegjësia.

Ama, se për cilin ka qenë mesazhi i ditës së sotme, i shpërndarë prej tij përmes rrjeteve sociale, ku shfaqet në foto me dy fëmijët, me ngjyrat bardheblu, kjo ha diskutim. Në anglisht, si për ta ndërkombëtarizuar “klithmën” e tij, 34-vjeçari shkruan: “Historia nuk flet për dështakët”! Nga trajneri Mema deri tek të kuqtë, “armiqtë” e përbetuar të Tiranës, targeti i këtij shigjetimi duket i gjerë…

Në fakt, kjo thënie është e njohur dhe shumë e përdorur në botë. “Historia nuk flet për dështakët” ka parasysh ata që patën sukses dhe ata që u përpoqën, pavarësisht se nuk ia dolën. Askush nuk përmendet (kujtohet) se i bëri mirë gjërat vetëm gjysmën e rrugës, ose më pak se kaq. Ka emra që lëkunden nëpër valët e historisë si Aleksandri i Madh, Jul Cezari dhe George Washington, për të përmendur disa të mirënjohur, që e ilustrojnë këtë thënie të përbotshme.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit