Colella jep kushtrimin te Partizani: Po e humbëm derbin e nesërm, i themi lamtumirë titullit…

16 Maj 2023
12:30
Alfred Lleshi
back button

Ai do të bëjë histori si trajner, duke fituar titullin e parë kampion në këto nivele, si Kategoria Superiore e Shqipërisë. Trajneri i Partizanit vjen nga Italia dhe tashmë beson se mund ta kurorëzojë sezonin me të kuqtë duke ngritur trofeun e shumëlakmuar. E ndajnë vetëm 2 pikë nga Tirana kryesuese, të cilën do ta sfidojë nesër në “Arena Kombëtare”.

Kjo do të thotë se fitorja e “demave” i ngjit ata në krye dhe pastaj tri ndeshjet e mbetura të kampionatit shndërrohen në “finale” të vërteta. Më shumë se kaq do të jetë përballja e afërme me bardheblutë, i njohur nga të gjithë si derbi i madh i kryeqytetit.

Giovanni Colella doli në konferencë për shtyp dhe bëri këtë prognozë: “Derbi vendimtar? Kjo pyetje e ka dhe përgjigjen brenda. Është ndeshje e vështirë, sepse përcakton fatet e sezonit. Për momentin kemi diferencë 2 pikësh me Tiranën. Që të dalësh kampion duhet të përballesh me ndeshje të tilla. Si rrallë herë nuk kemi probleme dhe mungesa, jemi në kushte shumë të mira, mjaft të qetë.

Matematika nuk na lejon që të themi se titulli vendoset nesër, ka edhe ndeshje të tjera. Po, kjo ndeshje vendos shumë për ne, nëse e humbasim. Në një rast të tillë i themi lamtumirë titullit, është matematikë e thjeshtë. Nëse fitojmë, kemi edhe ndeshje të tjera, sepse diferenca shkon vetëm 1 pikë.

Nuk e di si do të rreshtohet Tirana në fushë. Secili e përgatit në mënyrën e tij derbin, por këto janë ndeshje të rëndësishme në aspektin e motivimit. Natyrisht, ndeshja duhet përgatitur me skema, por për 5 minuta gjithçka mund të ndryshojë. Skuadrat kanë idetë e tyre, por gjatë lojës mund të ketë ndryshime.

Formacionin nuk do ta zbuloj, as si e kam përgatitur këtë ndeshje. Atë që kam përgatitur nuk mund ta them. Si unë ashtu edhe Shehi përgatitemi për më të mirën. Dua të jem korrekt me ju dhe jo të zbuloj përgatitjen e ndeshjes. Derbi mund të përcaktohet edhe nga disa episode, që as unë dhe as Shehi nuk i mendojmë dot. Futbolli është i bukur sepse ka gjëra të papritura.

Shpresoj që Da Silva të jetë përcaktues, por ka edhe të tjerë që mund ta bëjnë diferencën. Edhe dikush që ka luajtur pak është në gjendje të mirë, si të gjithë lojtarët e tjerë. Historia kur Partizani shpallej kampion para 44 vitesh? Shpresoj që ta përsëris historinë. Edhe nëse fitojmë nesër, nuk shpallemi kampionë, sepse kemi edhe 3 ndeshje të tjera.

Kam respekt për kundërshtarin, sepse është i ekuilibruar dhe rreshtohet mirë në fushë. Duhet të përqendrohemi mirë, sepse Tirana, edhe pse ka mungesa, luan për jetë a vdekje. Kjo është e bukura e derbit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit