Gara e dytë sezonale e skiatores shqiptare Lara Colturi nuk ka qenë shumë pozitive. Në pistën finlandeze të Levi, ajo garoi të dielën në disiplinën e sllallomit, garë e vlefshme për Kupën e Botës.
Colturi nuk arriti ta përfundojë zbritjen e parë, pasi u rrëzua, duke mos u kualifikuar dot më tej. Skiatorja që ka lindur në Itali, por që ka marrë nënshtetësi shqiptare, mbylli kështu aventurën e saj në Levi, ku zhvilloi dy gara.
Të shtunën, Colturi u klasifikua në vendin e 33-të pas zbritjes së parë, pa patur mundësi të avancojë në raundin e dytë. Gjithsesi, ajo bëri një paraqitje të mirë, në debutimin e saj në garat e Kupës së Botës.
Të dyja këto gara të sllallomit, u fituan nga skiatorja amerikane Mikaela Schiffrin, që udhëheq edhe renditjen provizore të Kupës së Botës për femra.