“Conte e ka transformuar Interin. Unë trajner? Mourinho kujtoi se po bëja shaka…”

14 Shkurt 2020
12:59
Alfred Lleshi
back button

I intervistuar nga “Sky Sport”, Dejan Stankovic foli për sfidën e titullit mes Lazio dhe Inter. Ish-mesfushori i të dyja skuadrave italiane foli për punën e shkëlqyeshme të dy trajnerëve, Conte dhe Inzaghi.

LAZIO-INTER – “Nuk jam i habitur që Lazio-Inter është një sfidë për titull. Le ta lëmë mënjanë Juventusin, i cili vitet e fundit ka dëshmuar se është ekipi për t’u mposhtur në Serie A, dhe të fokusohemi te dy trajnerët, Conte dhe Inzaghi. Puna e tyre mund të shihet, është një shembull për të gjithë. Jam shumë i lumtur për Simone Inzaghi, është një surprizë e shkëlqyeshme. Nëse Lazio arrin të ruajë freskinë fizike deri në fund, atëherë është pretendente për titullin së bashku me Interin. Me Conte, Interi ka ndryshuar, ka fituar edhe shumë pikë. Antonio që nuk heq dorë nga asgjë, shkon përpara me idetë e tij. Nëse përshtateni, mirë, përndryshe jeni jashtë planeve të tij. Ai bën pjesë tek trajnerët, që iu kushtojnë 24 orë detajeve më të vogla. Duhen shumë gjëra për ta fituar kampionatin, jo vetëm të luash mirë. Është një mozaik, që duhet kompletuar”.

TRAJNERËT – “Trajneri im i parë te Lazio ishte Eriksson dhe nuk mund të kisha pasur më mirë. Me Mancini kam marrë shumë si lojtar, duke luajtur shpejt, përpara, mos e ulur kokën. Vërtet kam luajtur mirë me Mancio. Zaccheroni më la të lirë dhe e ndryshoi rolin tim. Kur mbërriti José, u rrita shumë si njeri. Dhashë edhe 20-30% të asaj, që nuk mendoja se e kisha brenda vetes. Kur e mori vesh se do të bëhem trajner, Mourinho kujtoi se po bëja shaka. Pastaj më uroi më të mirën, sepse çdo trajner do ta shohë ish-lojtarin e vet si njëlloj trashëgimie”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit