Conte fiton dyfishin e Sarrit dhe Ancelottit, ja lista e pagave të trajnerëve në Serie A

11 Shtator 2019
13:05
Alfred Lleshi
back button

Interii duket i vendosur që me çdo kusht të rivalizojë Juventusin në Itali dhe Europë. Për këtë, gjithçka nisi nga stoli. Antonio Conte është përforcimi më i madh i zikaltërve. Klubi nga “San Siro” bëri përpjekje të nivelit të lartë ekonomik për ta bindur trajnerin  salentin që t’i bashkohej projektit të Suning. Në analizën “Gazzetta dello Sport” për pagat që marrin trajnerët e Serie A, është e qartë se Conte paguhet më shumë nga të gjithë. Steven Zhang i garanton atij një pagesë prej 11 milionë euro (neto) në sezon, çka e bënë atë “bosin” e kampionatit italian. Pagë më e mirë edhe se e José Mourinhos së “tripletës” historike, i cili në vitin 2008 nuk shkonte përtej 9 milionë eurove në sezon, për të marrë 2 milionë më shumë në vitin e ardhshëm.

Për më tepër, Interi, gjithashtu, duhet të përfshijë te shpenzimet edhe 4.5 milionë eurot, që lidhen me kontratën e Luciano Spalletti, ende në listën e pagave të klubit zikaltër, pas shkarkimit në fund të majit. Në nivelin europian, Antonio Conte është në vendin e pestë. I paarritshëm është Diego Simeone me 23 milionët e tij, i ndjekur nga Pep Guardiola (18), Ernesto Valverde (12.5) dhe Zinedine Zidane (12).

Por le të kthehemi te Serie A. Maurizio Sarri e plotëson podiumin me 5.5 milionë euro, plus shpërblimet e lidhura me performancën e tij në Champions. Carlo Ancelotti merr 5 milionë euro në sezon nga Aurelio De Laurentiis. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se bardhezinjtë, ashtu si Interi, vazhdojnë të paguajnë edhe trajnerin e larguar. Në rastin konkret, Massimiliano Allegri vijon të jetë i lidhur me “Zonjën e Vjetër” kontraktualisht deri në qershor 2020.

Nga 3 milionë euro përfitojnë Paulo Fonseca dhe Sinisa Mihajlovic, 2.5 milionë është paga e Gian Piero Gasperinit, i cili do të përpiqet të shkojë sa më larg në Europë me Atalantën e tij. “Vetëm” 2 milionë euro pagë në sezon për Simone Inzaghi dhe Marco Giampaolo, ndërsa W/alter Mazzarri dhe Eusebio Di Francesco fitojnë nga 1.8 milionë. I fundit në listë është Igor Tudor, me 500 mijë euro pagë sezonale, plus bonuse; pak më pak se 600 mijë eurot e Ivan Juric dhe Eugenio Corini.

Më poshtë është renditja e plotë, sipas pagave, e trajnerëve të Serie A:
1. ANTONIO CONTE – 11 milionë euro (INTER)
2. MAURIZIO SARRI – 5.5 (JUVENTUS)
3. CARLO ANCELOTTI – 5 (NAPOLI)
4. PAULO FONSECA – 3 (ROMA)
5. SINISA MIHAJLOVIC – 3 (BOLOGNA)
6. GASPERINI – 2.5 (ATALANTA)
7. S.INZAGHI – 2 (LAZIO)
8. GIAMPAOLO – 2 (MILAN)
9. DI FRANCESCO – 1.8 (SAMPDORIA)
10. MAZZARRI – 1.8 (TORINO)
11. MONTELLA – 1.5 (FIORENTINA)
12. MARAN – 1 (CAGLIARI)
13. DE ZERBI – 1 (SASSUOLO)
14. LIVERANI – 0.9 (LECCE)
15. SEMPLICI – 0,8 (SPAL)
16. D’AVERSA – 0.75 (PARMA)
17. ANDREAZZOLI – 0.7 (GENOA)
18. CORINI – 0.6 (BRESCIA)
19. JURIC – 0.6 (VERONA)
20. TUDOR – 0.5 (UDINESE)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit