Conte ndëshkon Lautaro, e ul në stol. Ja kush luan përkrah Lukakut

9 Korrik 2020
10:02
Alfred Lleshi
back button

Interi humbi ndaj Bologna, duke mos i shfrytëzuar dot “nokaut”-et e Juventusit dhe Lazio. Përgjigjen e mori nga Atalanta, e cila është ngritur momentalisht në vendin e tretë, me një pikë më pak se vendi i dytë. Kjo e sotmja, pra, është një sfidë që vlen pikë të rëndësishme për zikaltrit, të cilët do të jenë mysafirë në fushën e Veronës.

Interi do të kërkojë maksimumin në këtë transfertë për t’i dhënë një kuptim ndryshe “finaleve” të mbetura të sezonit. Pra, duhet të fitojë në fushën e njërit prej zbulimeve të shkëlqyera të këtij kampionati, në radhët e të cilit luajnë edhe dy shqiptarë, Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani.

Antonio Conte edhe një herë do të duhet të merret me mungesa të ndryshme, që do të peshojnë sidomos zgjedhjet në mbrojtje dhe mesfushë. Në fakt, në pjesën e prapme nuk do të luajnë dot Bastoni dhe D’Ambrosio, ndërsa në mesfushë do të duhet të bëjë pa Sensi dhe Barella. Trajneri zikaltër duhet ta rreshtojë skuadrën e tij me 3-4-1-2 e zakonshëm në të cilin Godin, De Vrij dhe Skriniar do të përbëjnë treshen mbrojtëse, para Handanovic.

Në mesfushë, Candreva dhe Young do të mbikëqyrin krahët, ndërsa në qendër Gagliardini përkrah Brozovic. Në repartin ofensiv, Eriksen do të bëjë rolin e “regjisorit” (edhe pse duket ende në balotazh me Borja Valero), kurse risia më e rëndësishme mund të përfaqësohet nga Sanchez. Ky i fundit pritet të ulë në stol Lautaro Martinez, i cili ka zhgënjyer aq shumë në ndeshjet e fundit. Sipas të gjitha gjasave, ai do të jetë startues për herë të tretë në këtë sezon, përkrah Lukakut.

Në fakt, e ardhmja e tij zikaltër mbetet të shkruhet. Prova të mëtejshme të mira mund ta bëjnë rrugën e qëndrimit në Milano të sigurt. Pra, mbas huazimit, Interim und ta blejë sulmuesin në pronësi të “Djajve të Kuq”. Juric, nga ana e tij, duhet të mbështetet në modulin 3-4-2-1, teksa në vijën mbrojtëse, para Silvestri, do të jenë edhe dy shqiptarët, Rrahmani dhe Kumbulla.

Formacionet e mundshme:
VERONA (3-4-2-1): Silvestri; Rrahmani, Gunter, Kumbulla; Faraoni, Amrabat, Veloso, Lazovic; Pessina, Zaccagni; Di Carmine.
INTER (3-4-1-2): Handanovic; Godin, De Vrij, Skriniar; Candreva, Gagliardini, Brozovic, Young; Eriksen; Lukaku, Sanchez.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit