Conte “ngre në qiell” Rrahmanin: Është si robot, një kompjuter i kalibruar…

23 Nëntor 2024
8:42
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka mbajtur një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Romës, duke komentuar formën e disa lojtarëve të tij dhe përgatitjet për javën e 13-të të Serie A. Ja disa nga deklaratat kryesore të tij:

Për David Neres: “Ai po bën mirë, angazhohet shumë dhe punon fort. Është një lojtar i rëndësishëm për ne, si në të kaluarën, ashtu edhe tani. Kërkojmë t’i krijojmë situata që ta ndihmojmë të nxjerrë në pah cilësitë e tij, jam i kënaqur me atë që po na jep. Është një lojtar që mund të krijojë situata nga asgjëja. Jam shumë i lumtur për qëndrimin e tij pozitiv”.

Për Ngonge: “Ai është duke u rritur. Çdo lojtar e di se vendimet e mia nuk bazohen në fytyrat e tyre, por në atë që tregojnë gjatë javës dhe në ndeshje, qoftë si titullar, apo si zëvendësues. Ngonge ka treguar përparim të madh që nga vera. Ky progres është i mirëpritur, sepse na duhet konkurrencë e shëndetshme për të rritur nivelin e ekipit në stërvitje dhe ndeshje”.

Për Rrahmani dhe Buongiorno: “Buongiorno, duke marrë parasysh moshën, ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar. Ai është i kujdesshëm dhe përthith gjithçka që i tregon. Nga ana tjetër, Amir Rrahmani është si një robot, një kompjuter i kalibruar. Ai është një punëtor i madh, i cili menjëherë përvetëson gjithçka që i shpjegon.

Jam shumë i kënaqur me të. Gjithashtu, kemi lojtarë si Rafa Marin që po punon shumë dhe po përmirësohet. Edhe Jesus, i cili është një veteran, mund të na ndihmojë kur është e nevojshme. Si gjithmonë, një mbrojtës i mirë është pjesë e një faze mbrojtëse që funksionon në grup”.

Trajneri ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe konkurrencës së shëndetshme brenda ekipit, duke nënvizuar se përmirësimet individuale ndikojnë pozitivisht në ecurinë e përgjithshme të skuadrës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit