Conte nuk e dramatizon, sheh gjysmën e gotës plot tek Interi

22 Tetor 2020
8:41
Alfred Lleshi
back button

Debutim zhgënjyes sezonal në Ligën e Kampionëve për Interin, i cili, pas disfatës në derbin e Madoninës, nuk shkoi përtej barazimit 2-2 në shtëpi, kundër Borussia Moenchengladbach. Antonio Conte, i intervistuar nga “Sky Sport” në fund të ndeshjes, u përqendrua te performanca e Eriksen: “Eriksen, si i gjithë ekipi, zhvilloi një ndeshje të mirë, me përkushtim. Megjithatë, ne i kërkuam të ishte më vendimtar në fazën e posedimit”.

Tekniku zikaltër nuk kërkon justifikime pas pozitivitetit të Hakimit me koronavirus dhe dëmtimit të Alexis Sanchez: “Ne duhet të përqendrohemi në fushë, për të bërë më të mirën. Nuk ishte e lehtë ta merrnim vesh pozitivitetin e Hakimit në orën 17:00, ndërsa në mëngjes ishte stërvitur me ne dhe duhej të luante”.

Conte mbron performancën e Interit: “Nuk mund ta krahasojmë ndeshjen e vitit të kaluar kundër Slavia Prague me atë të sotmen. Luajtëm mirë kundër një ekipi me potencial të madh, bëmë ndeshjen tonë. Ne krijuam dhe mund të fitonim”.

Në fund, tekniku shpjegon disa zgjedhje të detyrueshme, shenjë e një periudhe jo shumë me fat: “Sonte mund të bënim shumë pak nga stoli. Bastoni bëri dy seanca stërvitore me ne, Brozovic vuante nga lodhja, Nainggolan u stërvit me ne vetëm dje për here të parë. Sensi nuk ishte gjithashtu gati. Sanchez? Duhet ta kuptoni…”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit