Conte nuk trembet nga “coronavirus”, jep kushtrimin para Sampdorias

22 Shkurt 2020
14:14
Alfred Lleshi
back button

Humbja me Lazio e ndërlikoi garën e zikaltërve për titull. Tani, ata janë -3 pikë nga Juventusi, të parakaluar në renditjen nga bardhekaltrit kryeqytetas. Pengesa tjetër për Conte dhe të tijtë është Sampdoria, e cila ka nevojë jetike për pikë mbijetese në Serie A. Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së të dielës në mbrëmje, trajneri i Interit shprehu respekt maksimal për kundërshtarin, asnjë alarm për “coronavirus”, fjalë të ëmbla për Lautaro Martinez. Një enigmë e la pezull, që lidhet me Brozovic dhe Bastoni:

“Megjithë pozicionimin në vendet e fundit, Sampdoria është gjallë. Ajo ka një trajner me shumë përvojë, si Ranieri, por edhe futbollistë cilësorë. Veçoj lojtarë me përvojë si Quagliarella, i cili surprizon çdo vit me cilësitë futbollistike dhe thellësinë njerëzore. Ne do të duhet të përpiqemi të marrim 3 pikët. “Coronavirus”? Nevojitet të jemi gjithmonë të ekuilibruar, pa krijuar alarme të mëdha. Sidoqoftë, në të njëjtën kohë kërkohet kujdes, për të mos e nënvlerësuar situatën. Instancat shëndetësore në Itali po merren me këtë, ne do të bëjmë atë që do të na thonë se është e drejtë dhe e nevojshme.

Lautaro është serioz dhe i përqendruar. Ai po shkon mirë. Ka ende kufij të konsiderueshëm për t’u rritur. Ai është vetëm 22 vjeç, por është përmirësuar në krahasim me sezonin e kaluar. Jam i lumtur që e kam në dispozicion. Brozovic dhe Bastoni u stërvitën dje, sot do ta kuptojmë nëse janë shëruar nga problemet e tyre përkatëse dhe pastaj do të vendos. A do të ndryshoj skemë për ndeshjen e nesërme? Kjo varet nga garancitë që jep skuadra në lojë, por gjërat duhet të provohen dhe të gjykohen herë pas here. Ne kemi nevojë për ekuilibra të caktuar, do të shohim nëse do të kemi kohë për të zbatuar ndonjë skemë të re”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit