Conte: Sfidat nuk më kanë frikësuar kurrë, mjafton të kem edhe 1% shanse…

27 Nëntor 2021
13:14
Alfred Lleshi
back button

Sfidat nuk e kanë trembur asnjëherë, madje e kanë stimuluar gjithmonë për të dhënë më të mirën e tij, akoma më shumë për të kapërcyer kufijtë mendorë e fizikë. Antonio Conte ka zgjedhur të rifillojë nga Tottenham, klubin që më 2019 arriti deri në finalen e Champions League, të humbur përballë Liverpool-it. Në natyrën e teknikut nga Salento, i intervistuar nga ‘SportWeek’, ka qenë gjithmonë dëshira për të rindërtuar nga rrënojat, duke ngritur rrokaqiej të vërtetë.

“Sfidat nuk më kanë frikësuar kurrë, më mjafton të kem edhe 1% mundësi për t’i fituar ato, që ta filloj betejën time. Nuk kam marrë kurrë skuadra që kishin fituar një vit më parë, por gjithmonë kam ndjekur rrugët e rindërtimit. Juven e mora nga vendi i tetë, Chelsea nga i dhjeti, Interin nga i katërti. E di që do të duhet pak durim këtë herë. Në Milano lashë një punë të mbaruar. Këtu më duhet të filloj nga e para. T’ia nisësh në mes të sezonit nuk është kurrë e lehtë”.

Kërkesa e Contes është vetëm një: koha. Fjala kyçe për sukseset aktuale të trajnerëve si Klopp dhe Guardiola: “Skuadrat e mëdha ndërtohen me kalimin e kohës. Klopp nuk hyri në Champions League në vitet e para te Liverpool, por atje i dhanë besim dhe vit pas viti formoi ekipin që më pas fitoi gjithçka. Edhe Guardiola nuk e fitoi titullin vitin e parë. Po fillojmë sërish nga a-b-c, por rrugës planifikojmë ta përshpejtojmë punën me shkronjat e tjera të alfabetit. Rruga është me gunga, por nuk më tremb, më emocionon”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit