Coronavirus “tremb” Khabib, rusi merr vendimin surprizë para UFC-249

24 Mars 2020
15:47
Telesport
back button

Kampioni i botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse Khabib Nurmagomedov ka lënë Amerikën për t’u rikthyer në Rusi, një muaj para eventit UFC-249 (18 prill). Në këtë event, ai do të mbrojë titullin kampion bote ndaj Tony Ferguson.

Sipas “MMA Mania”, kampioni i pamposhtur rus, duke parë përhapjen e madhe të coronavirus në Amerikë, ka “mbledhur plaçkat” dhe është larguar nga San Jose, ku ndodhet Akademia Amerikane e Kickboxing, ku ishte duke u stërvitur.

Khabib aktualisht ndodhet në Moskë, në pritje të lajmeve nga Dana White (presidenti i UFC-së), për zhvillimin apo jo të eventit UFC-249 (data zyrtare është 18 prill, në Brooklyn, Nju Jork). Për momentin eventi është në dyshim, madje nuk do të zhvillohet më në Nju Jork për shkak të coronavirus.

Dana White ka thënë se do ta zhvillojë me çdo kusht këtë event, por jo në Nju Jork, ku nuk lejohen tifozët. Presidenti i UFC-së është në kërkim të një vendi tjetër për të zhvilluar këtë event, që ka gjasa edhe të shtyhet.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit