Ç’po ndodh?! Luis Suárez ndodhet në Perugia për provimin e italishtes…

17 Shtator 2020
15:35
Alfred Lleshi
back button

Sipas mediave spanjolle, Luis Suárez ka udhëtuar drejt Italisë. Uruguajani do të përpiqet të kalojë sot testin e gjuhës italiane (niveli B1) për të marrë pasaportën e komunitarit. Siç është publikuar edhe nga “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi i Barçës tashmë ka mbërritur në Perugia, ku do të provojë veten në njohuritë mbi italishten.

Siç publikoi “AS” dy ditë më parë, Juventusi nuk e ka të qartë se, edhe po e kaloi me sukses provimin e italishtes, procedurat mund të përfundojnë në kohë për ta regjistruar në listën e Ligës së Kampionëve, edicioni i ardhshëm. Për këtë arsye, mund të përshpejtohë negociatat me Edin Dzeko.

Në këtë moment, David Pantak, agjenti i Arkadiusz Milik, është në selinë e Romës, në “Trigoria”. Synimi është për të arritur një marrëveshje me verdhekuqtë (të cilët ofrojnë gati 6 milionë euro në sezon). Nëse sulmuesi i Napolit transferohet në kryeqytet, do të zhbllokojë edhe shitjen e Boshnjakut te kampionët e Italisë. Dzeko është i preferuari i Pirlo për të kompletuar “tridentin” sulmues me Cristiano Ronaldo dhe Dybala.

Ndërkohë, Suárez do të përpiqet ta përfundojë me sukses udhëtimin burokratik, nga i cili pritet të marrë pasaportën italiane, diçka që mund t’i hapë më shumë dyer si në këtë merkato, ashtu edhe në tjetrën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit