Ç’po ndodh te Barça, Laporta kërkon takim urgjent me Koeman

12 Maj 2021
14:21
Alfred Lleshi

E ardhmja e Ronald Koeman është më shumë se kurrë në pikëpyetje. Presidenti Joan Laporta planifikon të takohet në orët e ardhshme me Koeman për të bërë një vlerësim të gjendjes së ekipit dhe për të kërkuar shpjegime në lidhje me rezultatet e fundit, sipas “Catalunya Ràdio”. I njëjti stacion e bëri të qartë, në çdo rast, se nuk parashikohet ndonjë vendim i afërt traumatik, kështu që Koeman do ta përfundojë sezonin aktual në stolin e Blaugrana-ve.

Një tjetër gjë shumë e ndryshme është nga sezoni tjetër. Duket e qartë se Koeman mund t’i ketë ditët e numëruara në klub, veçanërisht pas një fundi kaq zhgënjyes të sezonit, ku ekipi ka shpërdoruar keq fare çdo mundësi titulli, me ndeshje aq zhgënjyese, sa humbja në shtëpi ndaj Granada (1-2), ose barazimi në fushën e Levante (3-3), pasi e mbylli pjesën e parë në avantazhin 0-2.

Laporta tashmë e bëri shumë të qartë gjatë fushatës elektorale se e ardhmja e Koeman në klub do të varej “nga loja dhe rezultatet”. Ndërsa është e vërtetë që në takimet që ka zhvilluar me trajnerin hollandez, gjithmonë i ka treguar atij besimin më të madh. Sidoqoftë, është gjithashtu e vërtetë që nuk e ka ratifikuar publikisht trajnerin, i cili ka edhe një sezon në kontratë.

Këto ngurrime të Laporta dërgojnë një mesazh publik se trajneri holandez nuk do të vazhdojë sezonin e ardhshëm. E vërteta është se tani askush në klub nuk mund të garantojë 100 për qind që Koeman do të jetë trajner edhe sezonin e ardhshëm në “Camp Nou”. Sidomos pas rezultateve të fundit, që hodhën titullin në erë. Sigurisht, trajneri holandez gjithmonë e ka bërë të qartë se ka edhe një vit më shumë në kontratën e tij dhe se do të luftojë me të gjitha forcat për ta respektuar atë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit