CR7 ishte i paralajmëruar; Sarri i tregoi vendin pa hezitim edhe Hazard

13 Nëntor 2019
14:19
Alfred Lleshi
back button

Maurizio Sarri është konsideruar me personalitet apo burrë me b*** këto ditë, pasi e zëvendësoi dy herë radhazi brenda pak ditëve yllin e bardhezinjve, Cristiano Ronaldo. Dy zëvendësime që, siç duket, nuk i kanë pëlqyer aspak portugezit, i cili është bërë protagonisti i javës në Itali për reagimin ndaj vendimeve të trajnerit. Pamjet kanë treguar qartë sikletin dhe zemërimin e tij, madje edhe largimin nga stadiumi përpara mbarimit të ndeshjes, fundjavën e kaluar.

Sidoqoftë, Maurizio Sarri e ka treguar veten si të tillë, se nuk ngurron të ulë në stol edhe yjet që stërvit e drejton. Ai e përjetoi një situatë të ngjashme me Eden Hazard sezonin e kaluar, kur drejtonte Chelsea, dhe lojtari belg ishte akoma “mbreti” te skuadra angleze. Në fakt, në muajt e fundit të sezonit (i cili do të ishte i fundit për të dy në klubin londinez), mediat në Angli zbuluan se marrëdhëniet mes tyre ishin “gërryer” fort. Kjo gjë madje u konfirmua zyrtarisht nga goja e vetë trajnerit italian, kur tha: “Hazard është një problem në stërvitje, ai mërzitet”. 

Sidoqoftë, ishte e qartë, siç po ndodh tani, që Sarri mori frenat e situatës në dorë dhe nuk ia vuri veshin asaj që po thuhej për yllin e tij. Sezonin e kaluar, Eden Hazard u zëvendësua nga Sarri deri në 11 raste, madje edhe në 12 herë të tjera ai erdhi nga pankina në lojë. Kjo do të thotë se, në 23 nga 43 ndeshjet e luajtura prej yllit belg, ai mbeti jashtë fushe për 90 minuta, qoftë duke u zëvendësuar, ose duke e filluar si zëvendësues. Një fakt që tregon se trajneri italian nuk heziton të marrë vendime të forta, qoftë për ndonjë ylli të ekipit, ose lojtar tjetër nën komandën e tij. 

Në këtë rast, shembull u bë Hazard, i cili ishte një idhull absolut në “Stamford Bridge”, lojtari më i paguar dhe më vendimtari te Chelsea. Ai incident mes Hazard dhe Sarri ka një ngjashmëri me situatën aktuale në Torino, por tani trajneri transalpin duhet të përballet me një yll me ndikim më të madh publik, siç është Cristiano Ronaldo.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit