Cristiano “Máximo” Ronaldo, futbollisti që po i vendos historisë emrin e vet

16 Qershor 2021
12:39
Alfred Lleshi
back button

Cristiano “Maximo” Ronaldo. Maksimumi i Portugalisë, maksimumi i Real Madridit, maksimumi i Ligës së Kampionëve, maksimumi i Europianit… Perandori i golit u kurorëzua kundër Hungarisë si shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në këtë kompeticion dhe ia shton këtë titull një vitrine të lakmueshme dhe të pakrahasueshme…, në të cilën ka ende vend për një rekord të veçantë, që mund të vijë në ditët në vijim.

Cristiano e filloi Kampionatin Europian me dy gola ndaj Hungarisë dhe duke thyer disa rekorde. Ai tashmë është shënuesi më i mirë në kompeticion, me 11 gola, pasi theu rekordin e Platini. Ai është futbollisti i vetëm, që ka luajtur pesë Kampionate Europiane. Dhe, padyshim, i vetmi që ka shënuar në të pestë: 2004, 2008, 2012, 2016 dhe 2021.

Më e rëndësishmja është shenja për më shumë gola të shënuar me ekipin kombëtar. Ronaldo është duke “gjuajtur” iranianin Ali Daei prej një kohe, por kurrë nuk ka qenë më afër tij se tani. Nëse ky do të ishte një dokumentar, ajo që kemi parë deri më tani ishte gara e CR7 në fushë të hapur kundër “preve” të tij dhe Europiani shihet si kërcimi i fundit, me “kthetra” përpara e gojë hapur për të kafshuar… Portugezi ka 106 gola me ekipin e tij kombëtar, tre larg 109 golave që Daei shënoi me Iranin.

Rekordi i Ali Daei është lakmuar nga një grusht tjetër futbollistësh, por askush nuk është afruar sa Ronaldo, për ta gdhendur emrin e tij sipër iranianit.  Shembulli më i qartë është Raul, i cili mori gati 15 vite për të arritur majën në historinë e Real Madridit, duke tejkaluar Alfredo di Stéfano si golashënuesi më i mirë i klubit të bardhë. Ai e arriti atë më 7 shkurt 2009, por po atë verë Cristiano zbarkoi në kryeqytetin madrilen dhe në shtator 2015 shënoi golin e tij të 324-të, në Malmoe (Suedi), për të tejkaluar shenjën e Raúl.

Kur e hoqi fanellën e Real Madridit për të mos e veshur më, ai kishte shënuar 451 gola në 438 ndeshje. Dhe prej aty pret që të lindë dikush, i aftë ta kapërcejë atë. Dhe dominimi i tij absolut nuk përfundon me ekipin kombëtar ose “Bernabéu”. Liga e Kampionëve, konkurrenca e madhe në nivel klubesh, është gjithashtu e tija. Përveç pesë titujve të tij, Ronaldo është “pronari” i fronit të golashënuesit më të mirë historik, përpara Leo Messit. Me 134 gola, ai e tejkalon yllin argjentinas me 14 “rrjeta”. Messi ka shënuar vetëm 120 gola.

Diferenca në moshë midis të dyve shkon në favor të kapitenit azulgrana, i cili është dy vite e katër muaj më i ri se portugezi, por askush nuk guxon të bëjë një parashikim për sa vite Cristiano Ronaldo do të dëshirojë ta dominojë futbollin. Ronaldo, këtë sezon është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit, duke tejkaluar Pelé dhe Biscan. A do të jetë dikush në gjendje ta shënojë emrin e vet mbi emrin e tij?

Lajme të tjera

Lajmet e fundit