Cristiano Ronaldo kthehet në Madrid, paguan për të shmangur burgun

22 Janar 2019
11:41
back button

Cristiano Ronaldo është paraqitur mëngjesin e sotëm në Madrid, për t'u përgjigjur në lidhje me akuzat për evazion fiskal gjatë kohës që luante për Realin e Madridit.

Ylli i Juventusit është paraqitur para gjykatës dhe ka pranuar një dënim prej dy vitesh burg, që do të lihet pezull, si pjesë e një marrëveshjeje me autoritetet spanjolle vitin e shkuar.

Marrëveshja do t'i kushtojë thuajse 19 milionë euro në gjoba, ndërkohë që e ndihmon fakti që nuk ka precedentë të tjerë, ndaj dënimi prej 2 vitesh burg hyn në fuqi vetëm në rast se do të zbulohen shkelje të tjera në të ardhmen.

Në vitin 2017 një prokuror i shtetit spanjoll e akuzoi Ronaldon se nuk kishte paguar 14.7 milionë euro taksa, duke përdorur kompani ndërmjetëse me seli jashtë Spanjës, për të fshehur të ardhurat nga të drejtat e imazhit.

Ronaldo fillimisht i refuzoi gjithë akuzat, por tashmë ka vendosur të pranojë marrëveshjen dhe të paguajë, për të mbyllur këtë histori, që mendohet se ka qenë një nga arsyet që e largoi nga Reali, sepse Ronaldo mendonte se Florentino Perez nuk i doli në mbrojtje në gjithë këtë betejë ligjore.

Pas daljes nga gjykata Ronaldo, i shoqëruar nga e dashura e tij Georgina, komentoi shkurt për gazetarët: "Gjithçka perfekte!", duke buzëqeshur.

Ronaldo nuk është i vetmi që ka qenë pjesë e hetimeve nga autoritetet në Spanjë këto vitet e fundit, sepse edhe emra si Lionel Messi, Jose Mourinho, Javier Mascherano, Marcelo, Luka Modric, Alexis Sanchez, Ricardo Carvalho, Angel Di Maria, Radamel Falcao e Fabio Coentrao kanë qenë nën "lupën" e hetuesve dhe shumë prej tyre janë dënuar për evazion fiskal. 

Ish-ylli i Realit dhe Liverpool, Xabi Alonso, do të dalë sot para gjykatës në Madrid, pasi akuzohet se ka fshehur 2 milionë euro taksa në periudhën 2010-12. Ish-mesfushori mund të dënohet me 5 vite burg dhe të paguajë 4 milionë euro gjobë, përveç shifrës që detyrohej më parë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit