Cungu “provokon” Partizanin me dy ish-ë, Hallaçi nuk e mendon humbjen

13 Dhjetor 2018
13:47
Alfred Lleshi
back button

Kukësi “provokon” Partizanin një ditë para ndeshjes. Armandu Cungu “ka mbetur në trafik”, sikur konferenca për shtyp të kishte qenë emergjente e jo e planifikuar, ndërsa ka nxjerrë para gazetarëve për të folur dy ish-lojtarë të “demave të kuq”. Njëri luan sot në fushë me verilindorët, Gëzim Krasniqi, ndërsa tjetri është zv.trajner, Rrahman Hallaçi. Ky i fundit ka dëshmuar hapur ambiciet maksimale të nënkampionëve në këtë transfertë, e cila do të luhet nesër në “Selman Stermasi”, pa praninë e tifozëve.

Pse ju dhe jo Cungu, sot në konferencë?
Fola me profesorin dhe kishte mbetur në trafik, gjatë rrugës për këtu. Ky është një problem shqiptar, kështu që nuk ka asnjë gjë tjetër pas mosdaljes së Cungut në konferencë për shtyp. Kjo nuk ka të bëjë me përplasjen e nesërme me Partizanin. Më mori në telefon dhe më tha dil ti para gazetarëve. Thjesht, nuk mbërriti dot në kohë prej trafikut.

Nesër me Partizanin, a është ndeshja e titullit për ju?
Jo, nuk mund ta themi këtë. Nuk është ndeshja e titullit, sepse ka shumë të tjera për t’u luajtur. Natyrisht, e shoh si ndeshje vendimtare për vazhdimësinë, e cila vjen në një moment shumë të mirë për ne. Kemi marrë së fundi një fitore ndaj një rivali direkt, sikurse është skuadra e Skënderbeut. Kemi zhvilluar lojëra shumë të mira, tani po vijnë edhe rezultatet. Ndaj Partizanit duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse nuk duam të krijojmë distancë me pikë. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta shkurtuar distancën me kreun.

Ju jeni një ish i Partizanit, ndaj e njihni mirë kundërshtarin…
Partizani aktual nuk është i njëjtë me atë që kam luajtur unë. Sidoqoftë, e kemi ndjekur dhe studiuar shumë mirë kundërshtarin e radhës. E dimë se çfarë loje bën, se sa i kujdesshëm tregohet. Del pak para portës kundërshtare, por kur e bën këtë, shënon. Dhe më pas është shumë e vështirë t’i shënosh gol. I dimë pikat e forta dhe të dobëta të Partizanit. Imungon një lojtar kryesor si Asani, por kjo nuk do të thotë asgjë për Partizanin. Të kuqtë janë përgatitur për të ecur përpara, ashtu si ne, kanë shumë lojtarë në organikë dhe mund të gjejnë zëvendësues. Megjithatë, i kemi të gjitha mundësitë për të marrë rezultatin pozitiv.

Humbja me Partizanin, a ju nxjerr jashtë garës për titull?
Nuk e mendojmë humbjen e ndeshjes. E thashë edhe një herë, nuk duam të krijojmë shkëputje pikësh nga Partizani. Mendoj se ky është moment më i mirë për këtë. Partizani ka qenë i shkëputur, por erdhi momenti që të mos e kemi larg. Do t’ia lëmë fushës nesër dhe rrugës së kampionatit për të treguar se cili është më i zoti, duke marrë titullin në fund.

A mendoni se presioni bie mbi ju, apo mbi Partizanin?
Nuk mendoj se ka presion të jashtëzakonshëm tek asnjëra skuadër. Është një ndeshje mes dy skuadrave, të cilat kanë vite që investojnë pafundësisht për të shkuar drejt titullit kampion. Partizani ka shumë vite pa titull, ndaj mendon se ky është sezoni i duhur. Patjetër, edhe ne kemi të njëjtin objektiv. Nuk ka vend për presion të madh, është një ndeshje e radhës, që duhet vlerësuar dhe kaq.

Cila është situata në skuadrën tuaj?
Kemi pasur lëndime, por pjesa kryesore është rikthyer. Vetëm Chafik mungon, pasi vazhdon të jetë i dëmtuar. Një lojtar tjetër ka mbushur numrin e kartonëve, por kemi elementë të tjerë, të gatshëm për të konkuruar për formacionin. Mendoj se nuk shkojmë me probleme në sfidën ndaj Partizanit.

Çfarë duhet të ndryshoni nga ndeshja e fazës së parë me Partizanin?
Në ndeshjen e parë krijuam shumë raste, por u mundëm. Partizani shumë pak doli para portës sonë, por u tregua cinik, shënoi një gol dhe mori tri pikët. Ne nuk do ta bëjmë më atë ndeshje. Do të tregohemi të vëmendshëm, të paktën kur dalim para portës e të shënojmë gol. Në fazën e parë dolëm 7-8 herë para portës së Partizanit dhe nuk shënuam asnjë gol. Partizani do ta ketë shumë të vështirë kësaj radhe me ne. Do t’i marrim masat mirë qoftë nga krahët, qoftë nga qendra, duke ditur pikat e forta të kundërshtarit.

Ju kënaq një barazim, apo do të kërkoni vetëm fitoren?
Kukësi nuk hyn në asnjë ndeshje për barazim. Vetë investimi nuk ta lejon diçka të tillë. Këtu flasim, por le t’ia lëmë fushës, sepse ajo do të vendosë për çdo gjë.

Do të luani pa tifozë…
Po, ky është pak problem. Do kishim dëshirë të ishin tifozët e të dyja skuadrave. Pavarësisht se tifozët e Partizanit do të ishin të shumtë në stadium, ky nuk do të ishte problem për ne. Po të pyesësh lojtarët, ata duan që stadiumi të jetë i mbushur me tifozë nga të dyja krahët. Pa tifozët, stadiumi është si një ambient për gjumë. Megjithatë, i kemi marrë masat edhe për këto gjëra.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit