Cungu: “Skënderbeut nuk i shihen rezultatet. Nuk jemi të dënuar për 3 pikët”

15 Mars 2019
14:54
back button

Kukësi do të rinisë kampionatin këtë të shtunë, me një transfertë delikate në Korçë, kundër Skënderbeut (ora 17.00). Deri vjet ishte një sfidë për titull, nga ato që vendosnin sezonin, por tani është e qartë që Kukësi është ende në nivelet e së shkuarës, ndryshe nga Skënderbeu. Gjithsesi, trajneri i Kukësit, Armando Cungu, është rteguar shumë i kujdesshëm në prag të kësaj sfide, duke vlerësuar në maksimum korçarët dhe duke kërkuar kujdes. Ndërkaq, Cungu nuk ndalet gjatë te gara për kreun, duke i mëshuar faktit që ka ende shumë javë dhe është e kotë të bëhen llogari që tani.

Mungesat – "Shpresojmë në rikuperimin e ndonjë lojtari. Kemi pasur probleme me dëmtimet edhe në ndeshjen kundër Teutës, por besoj se të gjithë do jenë gati.

Momenti i Kukësit – "Besoj se skuadra është në formë mjaft të mirë mendërisht. Paraqitjet dhe rezultatet e skuadrës kanë qenë impresionuese, edhe ndeshja e fundit në kupë ishte shumë e mirë për 70-75 minuta, ndaj djemtë duhet të ndihen krenarë dhe duhet të jenë besimplotë për vazhdimësinë.

Skënderbeu – "Ka kualitet dhe brumë, përtej rezultateve që nuk janë ato të viteve të fundit. Gjithsesi, Skënderbeu meriton respekt dhe duhet kujdes për të fituar. Pavarësisht nga rezultatet, Skënderbeu është ekip që ka vënë emër në futbollin shqiptar dhe do të duhet shumë djersë për të marrë pikët e plota.

Detyrim për fitore? – "Nuk do thosha që jemi të dënuar për fitore. Shkojmë në çdo ndeshje për fitore, nuk ka asnjë ndryshim as ndeshja e radhës. Kemi bërë gabime, si çdo ekip, rëndësi ka të kemi nxjerrë mësime, sepse nuk ka më kohë për gabime".

Kamza – "Këto janë rregullat, duhen respektuar, gjeste të tilla nuk janë të pranueshme në sport, nuk ka rëndësi kush ka faj. Nuk jemi për të gjykuar njerëzit, çdokush shkon në stadium për shfaqje dhe duhet të mbetemi te futbolli, jo te sportet e tjera. Nuk besoj se është ndonjë ndryshim madhor për kampionatin, përveç faktit që përfitojnë tre ekipe, duke mos luajtur fare ndeshjet e fazës së tretë, apo Skënderbeu që nuk do lodhet as në kupë, edhe pse është thjesht rastësi. Ne i kemi marrë pikët e plota me Kamzën, por kemi vuajtur jo pak, kanë qenë beteja.

Distanca nga kreu – "Gjashtë pikë? Kemi treguar që kemi rikuperuar edhe më shumë pikë. Janë edhe 12 javë për të luajtur, mundësitë për të rikuperuar ekzistojnë, por duke menduar vetëm për ndeshjen e radhës, të vetëdijshëm që edhe kundërshtari mund të gabojë".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit