Daja: Apolonia nuk vodhi gjë, por fusha e thatë na penalizoi

3 Mars 2021
15:33
Alfred Lleshi
back button

Pas barazimit 1-1 në Fier, trajneri i Partizanit, Ilir Daja, është ankuar për fushën, por tha se vendësit e merituan pikën e marrë: “Kishim ardhur për fitoren, por Apolonia nuk vodhi gjë. Kemi bërë vetëm gabimin te autogoli. Kemi bërë ç’është mundur për të përmbysur rezultatin, kishim shumë raste, e kontrolluam lojën. Na e vështirësoi manovrën e lojës fusha. Nuk është normale të luash në 13:00 në një fushë që ka një javë pa u vaditur.

Ne jemi ekip që luajmë poshtë dhe e kishim të vështirë. Barazimi i parë me Apoloninë ishte para 9 javësh, nuk kishte pse ndikonte sot, sepse kemi bërë mirë pas asaj ndeshje. Melo dhe Asani janë lojtarë të mirë me topin, por nuk gjejnë thellësi. As njëri, as tjetri nuk mund të bënin gjë sot në këtë terren.

Nuk e kam terrenin për justifikim, por po investojmë para në futboll dhe të mos ujisësh fushën… Cardoso nuk është qendërsulmues, por është përshtatur aty. Në merkaton e verës ishim të bllokuar dhe një lojtar i tillë, kur luan qendërsulmues, më shumë bën rolin e 9-shit fals sesa të gjejë golin.

Cordeiro është lojtar që përpiqet shumë. Nuk është stërvitur rregullisht dhe nuk e ka formën optimale. Mungesa e golave është statistikë dhe nuk e kundërshtoj dot, por ka bërë mirë në manovrën tonë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit