Daja: Askush nuk na llogariste pretendent, tani po luftojmë për titull

10 Prill 2021
11:06
Alfred Lleshi
back button

Java e 27-të e Superiores e vendos Partizanin përballë ballshiotëve. Dy skuadra me synime të ndryshme, të kuqtë për kreun dhe titullin, ndërsa Bylis lufton për mbijetesën. E thënë ndryshe, një betejë e vërtetë. Trajneri Ilir Daja, në konferencën e sotme për shtyp, analizoi situatën te të tijtë, duke apeluar që nesër të nisë kthesa dhe sprinti final drejt qëllimit madhor:

Ne nuk kemi fituar në dy ndeshjet e fundit, por kemi qenë dominues. Na ka munguar finalizimi. Kemi punuar përpara portës gjatë kësaj jave, për ta rritur këtë element të rëndësishëm. Kemi gjithë kontingjentin në dispozicion. Ka ardhur koha që përveç lojës së bukur, duhet të marrim edhe rezultatin. Do futemi në fushë për fitore kundër Bylisit, me gjithë vështirësitë që ka ndeshja. Vetëm fitorja na bën të mundur që të vazhdojmë drejt kreut me forcë. Të gjitha ndeshjet që kanë mbetur janë finale.

Shtatë vite pa fituar në shtëpi kundër Bylisit? Nuk e di çfarë është bërë më përpara. Me Bylisin në përgjithësi janë ndeshje të vështira, pasi është një ekip që ka një tjetër mënyrë të interpretimit të lojës. Besoj që do ta kemi të vështirë nesër, por do të rrezikojmë në maksimum për të marrë fitoren. Nuk mendoj ta copëtoj kampionatin, ne jemi me diferencë në renditje. Nëse shohim në vazhdimësi, kemi bërë një kampionat shumë herë më të mirë se Bylisi, që nuk është ekip i lehtë për t’u mundur. Kemi potencialin dhe motivin e duhur për të marrë tri pikët nesër.

I kemi rritur pritshmëritë me lojërat dhe rezultatet që kemi zhvilluar. Në start asnjë nuk pretendonte që Partizani do të ishte për titullin kampion. Jemi dy pikë larg kreut, jo vetëm që kemi ndryshuar pritshmëritë me lojërat dhe rezultatet, por besojmë se jemi në luftë për objektivin maksimal, edhe pse nuk e kemi pasur këtë qëllim në fillim të sezonit.

Në merkaton e janarit nuk është bërë çudi e madhe, ekipi nuk ndërtohet në dimër. Presim që në ato vende ku jemi përforcuar në merkaton e janarit t’i shohim në vazhdimësi. Kemi pasur vetëm katër mbrojtës, nuk po justifikohem, por Partizani ka bërë një punë të mirë dhe jemi në garë për titull. Besoj që Bylisi e ka elementin e agresivitetit në lojën e vet. Ne kemi një mënyrë tjetër loje, por duhet të jemi shumë të shpejtë në tranzicione.

Ky është agresiviteti që kemi ne si grup, që ta fusim Bylisin në ritmin tonë për të qenë agresivë në kapjen e hapësirave, sidomos hapësirave të shënimit të golit. Nuk jemi ankuar për fushën e “Elbasan Arena”, përveç një rasti kur ishte mot tmerrësisht i keq. Në të njëjtën gjendje është edhe “Air Albania”. Kushtet për të luajtur futboll janë optimale, na ngelet vetëm t’i shfrytëzojmë këto mundësi që na krijon klubi për të pasur një performancë sa më të mirë.

Loja e bukur? Për të qenë konkret dhe preciz, kemi qenë dominues në 65 minuta në Shkodër, më pas loja u barazua. Asnjë ekip tjetër nuk e ka dominuar Vllazninë kryesuese në aq minuta. Oshilacione kanë pasur të gjithë, edhe skuadrat për titull do të vazhdojnë t’i kenë. Kemi gjëra për të përmirësuar, por në raport me ndeshjen e fundit kemi qenë më dominues në 2/3 e lojës. Kjo na bën të besojmë se i kemi forcat e duhura për të vazhduar ashtu siç kemi bërë deri tani, ndoshta edhe më fort.

Marrja e trepikëshit me Bylisin ndoshta do të na kthente në optimizëm, ashtu siç kemi qenë përpara disa takimeve. Mendoj se është një moment kthese, na duhet patjetër fitorja për të vazhduar me ritëm edhe fazën e fundit të kampionatit”. 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit