Daja: Derbi vlen vetëm kur fitohet, presioni është te Tirana

12 Maj 2021
11:50
Alfred Lleshi
back button

Është një pikë larg kreut. Përpara ka vetëm Teutën, të cilën shpreson ta parakalojë nesër. Që të ndodhë kjo duhet të ndalen durrsakët në transfertë me krutanët dhe të fitojnë “demat e kuq” në derbin e madh të kryeqytetit. Trajneri Ilir Daja mendon se presioni është te Tirana, jo të tijtë:

“Barazimi në Korçë? Mendova se do ishte një pyetje tjetër, pasi sa herë që luajmë me ekipet e para në renditje, na thonë që kemi dalë barazim. Pyetje me vend, pasi ndeshjet vijnë e bëhen më dinamike. Kemi humbur dy pikë në Korçë, por e pamë të gjithë që loja ishte në gjysmëfushën kundërshtare.

Futbolli i ka këto dhe nuk ka ndonjë ndikim të madh, pas edhe nëse fitonim nuk do kishte ndonjë shkëputje në krye. Kishim shkuar vetëm për të fituar, por nuk ka lënë gjurmë. Edhe nëse do kishim një rezultat negativ, derbi është një ndeshje e veçantë, më e rëndësishmja e kampionatit. Jemi mirë psikologjikisht, pasi kemi në anën tonë lojën dhe do vazhdojmë kështu edhe ndeshjet e fundit.

Sigurisht ka një bonus psikologjik fitorja në derbi dhe presioni është më i madh te kundërshtari, sepse kemi fituar 2 herë dhe kemi barazuar 1 herë në këtë kampionat. Derbet nuk ngjajnë me njëri-tjetrin, por presioni mund të jetë më i madh te Tirana. Pritshmëritë do jenë të mëdha.

Rivaliteti është maksimal, pasi veçse është derbi luhet në javët e fundit dhe me rivalitet të plotë. Jemi më lart se kundërshtari në përballje direkte, por nëse duam ta vazhdojmë këtë lloj ecurie, duhet të motivohemi njësoj si në derbit e tjerë, ose të menaxhojmë motivimin që të mos ndikojë në lojë.

Nuk besoj se është udhëkryqi i sezonit, por e konsideroj bonus të madh marrjen e trepikëshit në derbi. Nëse shikojmë përballjet që kemi ne, edhe rivalët e tjerë kanë duele direkte. Çdo fitore të jep entuziasëm, por besoj se nuk do jetë vendimtar vetëm ky 3-pikësh. Çdo ndeshje të mbetur do ta luajmë njësoj si derbi. Nëse marrim 3 pikëshat tanë, nuk varemi se çfarë bëjnë kundërshtarët.

Ky kampionat ka qenë i paparashikueshëm për vonesën, pandeminë. Në fund të fundit lojtarët janë gjithashtu njerëz dhe i ndjejnë situatat. U ka ndodhur edhe skuadrave të tjera. Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por ka ndikuar në të gjithë botën. Në këtë situatë ndikon edhe mungesa e tifozëve. Nëse do kishin lojtarët mbështetjen e tifozëve do ishin më të motivuar dhe do të ishin çdo ndeshje njëlloj. Një motiv i madh është suporti i tifozëve.

Tirana është ekipi kampion në fuqi dhe e ka nisur si pretendente, pritshmëria ka qenë e madhe. Me problemet që patëm në fillim, brenda vetës kërkonim çdo herë maksimumin, pasi jemi pjesë e një klubi si Partizani, ku objektivat dihen që janë të mëdha.

Kemi ndryshuar krahët me Tiranën me atë që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe, por mendoj se presioni nuk është më i madh te ne. Derbi ka presionin e vet, nga psikologjike e ke të lehtë motivimin e lojtarëve, por të vështirë menaxhimin e dozës emocionale, pasi në fund logjika duhet të jetë mbi emocionin. Në këtë prizëm kemi punuar me lojtarët, pasi dihet që ata janë në maksimumin e motivimit në një derbi”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit