Daja jep kushtrimin e kuq: Gjithçka ndaj Laçit, synimi ynë është edhe Kupa

16 Mars 2021
11:14
Alfred Lleshi

Nesër, Partizani do të luajë çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Shorti e ka vënë përballë një kundërshtari mjaft të fortë, që aktualisht kryeson Superioren. Më shumë se kaq, do të sfidojë një ish të vetin, si futbollist dhe trajner. Pra, të kuqtë duhet të kalojnë duetin Laçi-Duro, që po bëjnë më mirë se gjithë të tjerët në kampionat. Në prag të transfertës kurbinase, në kuadrin e Kupës së Shqipërisë kësaj here, trajneri Ilir Daja u shpreh para gazetarëve:

“Është një ndeshje, ku kualifikimi varion 50 me 50, për vetë ecurinë e skuadrave deri më tani, në kampionat. Luajmë jashtë, por është pa tifozë dhe gjithçka e barabartë. Ne do të luftojmë me gjithë potencialin që kemi për t’u kualifikuar. Nesër e kemi të gjithë kontingjentin, përveç Ferhan Hasanit.

Në kampionat mund të bësh ndonjë hap fals, kurse në Kupë, sidomos me ndeshje teke, jo. Do ta mendojmë këtë 90-minutësh si një duel, ku duhet të japim gjithçka. Shkojmë me maksimumin e mundësive, pasi edhe rrugëtimi në kampionat është akoma i gjatë. Janë shumë pikë dhe javë përpara. Objektiv kemi edhe kupën. Nesër do të jemi të përqendruar në maksimum te ndeshja.

A ndikon triumfi i fundit kundër Tiranës? Çdo ndeshje ka historinë e vet. Mendoj se me fitoren në derbi kemi bërë një kthesë mjaft të mirë në aspektin psikologjik. Triumfi në derbi, veç tri pikëve të jep edhe një bonus psikologjik. Kishim një ngërç në rezultate, por e përsëris, nuk kishim probleme me lojën dhe është ajo, që të jep në fund fare garancinë. Tani rikthehemi në qetësinë që kemi pasur, por nesër duhet të shfaqim vlerat tona maksimale.

Frikë nga euforia? Nuk ka vend për këtë gjë. Kampionati është shumë i ngjeshur, ndaj nuk ke komoditetin për të festuar e kaluar në eufori. Sa mbaron një ndeshje vjen tjetra. Ndoshta nuk ke kohë as të mendosh e të mërzitesh, pasi ke ndeshjen tjetër pranë.

Rinovimet? Nesër vjen drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, dhe do të ulemi direkt të flasim për këtë gjë. Nuk mund ta riformatojmë një ekip nga fillimi, duke ditur objektivat që ka Partizani. Pra, do të ruajmë pothuajse një përqindje të madhe të ekipit aktual dhe do të mundohemi ta plotësojmë aty ku  kemi pasur probleme. Situata me Ferhan Hasani, që nuk po luan ende? Do të jetë gati të na shërbejë pas pauzës së ndeshjeve të kombëtares”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit