Daja jep kushtrimin për vazhdimësi: Laçi, ekip rival i yni, nesër synojmë fitoren

19 Nëntor 2021
12:38
Alfred Lleshi
back button

Dy javë pushim, kohë për “t’i karikuar” mirë bateritë, edhe pse disa lojtarë të kuq ishin të angazhuar me ekipin Shpresa. Megjithatë, qetësia është kthyer te Partizani, pas dy fitoreve të fundit. E para erdhi ndaj Kastriotit, në kampionat, ndërsa tjetra ndaj Besëlidhjes në Kupë.

Trajneri Ilir Daja kërkon vazhdimësinë e të tijve, si e vetmja mënyrë për të shkuar drejt përmbushjes së objejktivave. Në prag të ndeshjes me Laçin, në kuadrin e javës së 9-të të Superiores, e cila do të luhet nesër në “Air Albania” prej orës 19:45, trajneri i “demave” doli në konferencë për shtyp, ku nënvizoi:

“Këto ditë na kanë ndihmuar të rikuperojmë energjitë, por edhe të shkarkohemi psikologjikisht. Ndonjëherë pushimi nuk shërben, pasi një pjesë e lojtarëve tanë luajnë me Shqipëria U-21. Nuk kemi qenë të plotë. Ishin dy javë që na shërbyen të vazhdojmë me entuziazëm. Ekipi ka reaguar. Rezultatet duhen përmirësuar, të rikuperojmë pikët.

Laçi vjen me një anë psikologjike të mirë, ka fituar tri ndeshjet e fundit. Ka bërë mirë, ka shënuar më shumë se ne. Kurbinasit kanë probleme në mbrojtje, sepse kanë pësuar më shumë se ne. Jemi ekipe rivale, edhe sezonin e kaluar ishim pretendentë. Na del për detyrë të kemi vazhdimësi pas fitores me Kastriotin. Vetëm vazhdimësia mund ta na çojë aty ku kemi objektivin.

Situata në skuadër? Cara nuk ka qenë 100 për qind, por nesër do të luajë, pasi e ka kaluar problemin e fundit. Kaçe nuk është në gjendjen më të mirë fizike. E kemi parë në ndeshjet e Kupës dhe miqësoren me Turbinën. Një kondicion i mirë i tij është vlerë e shtuar për ekipin. Nuk kemi Cardoso e Damcevski, që duan kohë të rikuperohen. Nesër kemi një kontingjent të mjaftueshëm për ta përballuar ndeshjen.

Alban Hoxha ka një frakturë në gishtin e dorës. Dje ka nisur ta prekë topin me duar, pasi e kishte të ndaluar. Do të ndiqet në vazhdimësi gjendja e tij nga stafi mjekësor. Është kapiteni i ekipit dhe mungesa e tij ndihet. Sidoqoftë, Teqja ka bërë paraqitje të mira. Duhet të jetë afër grupit, pasi është kapiteni. E presim sa më shpejt të jetë gati.

Doja ta shmangia pjesën e stadiumit. E kam me organizatorët e Kupës. Duhet të vazhdojmë me dy data edhe në kampionat, shoh diferencim në dëm të Partizanit. Ne luajmë për tri ditë, të tjerët kanë 4 apo 5 ditë në dispozicion dhe rikuperohen. Nuk është pozitive, pasi duhet të jemi të barabartë me të tjerët. Presim të kemi mbështetjen e tifozëve tanë nesër, është gjë e mirë që u kthyem të luajmë në Tiranë.

Kemi tri ndeshje që nuk pësojmë, me gjithë Kupën. Futemi në çdo ndeshje për të fituar, pavarësisht se kemi pasur problemet tona me shënimin e golave dhe humbjen e rasteve. Veçse të mbrohemi mirë, ekipi duhet të ketë afikasitet  edhe në sulm. Kur shënon i pari ke anë psikologjike dhe mund ta drejtosh lojën aty ku janë objektivat. Shpresojmë ta vazhdojmë këtë ecuri. Do më pëlqente edhe të pësonim, por të shënonim më shumë se kundërshtari për të fituar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit