Daja mendon vetëm fitoren në Korçë: Nëntori na gjen në stadiumin tonë të ri

17 Shtator 2021
13:10
Alfred Lleshi
back button

Ndeshjen e parë të kampionatit të ri, Partizani e humbi si pritës, edhe pse luajti në “Elbasan Arena”. Ishin kampionët e Teutës që e mposhtën skuadrën e Ilir Dajës. Prandaj, sfida e nesërme në Korçë duhet kthyer patjetër në njëlloj autokritike. E thënë ndryshe, lejohen vetëm tri pikët. Në konferencën për shtyp, trajneri i të kuqve kryeqytetas iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Pas ndeshjes së parë si paraqitet gjendja e skuadrës?
Në startin e kampionatit, humbjet, fitoret dhe barazimet sigurisht që janë pjesë e rëndësishme, por që nuk tregojnë gjithçka. Kemi vijuar punën bashkë me grupin me intensitet të lartë, me dëshirën që ato gjëra që u shfaqën në ndeshjen e parë të paktën të minimizohen, sepse nuk mundet që brenda një jave të ndryshosh gjithçka . Mendoj që nesër na pret një ndeshje delikate në Korçë. Pavarësisht se Skënderbeu vjen nga një humbje, ndaj Tiranës ka zhvilluar një pjesë të parë mjaft të mirë. E respektojmë maksimalisht kundërshtarin, por synimi ynë i vetëm është marrja e tri pikëve, pavarësisht se jemi të vetëdijshëm që duhet të punojmë fort për ta arritur këtë objektiv.

A priten ndryshime në formacion? Kaçe dhe Mala a do ta nisin nga fillimi?
Nuk është e mirë të përsërisim të njëjtën gjë. Partizani është një ekip, brenda të cilit natyrisht ka edhe lojtarë cilësorë, dy prej të cilëve janë Kaçe dhe Mala. Nuk mund të them se cili prej lojtarëve do të jetë apo jo titullar nesër, pasi direkt pas konferencës për shtyp kemi edhe një seancë të fundit stërvitore, në përfundim të së cilës do të vendosim të gjithë si staf se kush do të startojë nesër. Janë dy lojtarë dhe jo vetëm, pasi ka edhe të tjerë që janë të rëndësishëm për skuadrën, por mbi të gjitha është Partizani. Duke pasur parasysh këtë gjë do të mundohemi që nesër të jenë titullarë ata lojtarë me gjendjen më të mirë. Ndoshta ndonjë mund të sakrifikohet për shkak të pozicionit, por jo për shkak të vlerave.

Përballja e nesërme mund të konsiderohet si një ndeshje që duhet fituar patjetër?
Eshtë ndeshje delikate, por që duhet patjetër të marrim 3 pikët. Besoj se i kemi kualitetet e duhura për ta arritur këtë. Ai që më pëlqeu në ndeshjen e parë ishte motivimi dhe dëshira që kishin lojtarët për të fituar, përtej gjërave të tjera që duheshin përmirësuar. Mendoj se kualiteti nuk na mungon dhe në javën e dytë mund të bëjmë diçka më shumë. Ekipet akoma nuk e kanë marrë formën e duhur, duke iu referuar problemeve tekniko-taktike. Skënderbeu është një ekip simpatik, ka shkëlqyer në pjesën e dytë të kampionatit të kaluar. Kjo do të thotë që përballë këtyre ekipeve duhet të jesh gjatë gjithë kohës i kujdesshëm, sepse dëshira për të bërë gjithçka ndaj Partizanit do të jetë motivi i tyre. Dhe ne duhet të jemi të motivuar maksimalisht për të arritur objektivin, marrjen e tri pikëve.

Problemet me finalizimin?
Sigurisht kishim probleme me finalizimin, kjo edhe për shkak të meritës së kundërshtarit, sepse u mbrojt mjaft mirë pas shënimit të golit. Ajo që na shqetësoi më shumë ishte senë 1/3 e sulmit ndoshta nuk kishim shpejtësinë e duhur të veprimeve offensive. Duhet të kishim shumë më tepër raste përpara portës, që këto lloj situatash të finalizoheshin në një përqindje më të mirë. Po t’i referohemi ndeshjes me Teutën, mendoj që të dyja ekipet nuk kishin shumë situata përpara portave respektive.

Pas Skënderbeut, kalendari ju rezervon përballje të forta?
Në kampionatin shqiptar diferencat nuk janë të mëdha . Ashtu sikurse ne kemi ndeshje të vështira në javët në vazhdim, edhe kundërshtarët do të kenë ndeshje të vështira, sepse përballë kanë Partizanin. Pra, mendoj që raporti i vështirësisë është në të dyja kahet. Ne duhet të fokusohemi te ndeshja e nesërme ndaj Skënderbeut, sepse është një skuadër që di të luajë mirë futboll.

A prisni që Partizani do të luajë në stadiumin tij këtë sezon?
Mendojmë që të paktën nga mesi i muajit tetor të fillojmë stërvitjet me ekipin në fushën e kompleksit të ri dhe për këtë kemi marrë edhe fjalën e presidentit. Ndërsa për ta bërë komplet stadiumin të gatshëm për të pritur ndeshjet tona, besoj në muajin nëntor. Unë jam traineri i ekipit, nuk jam presidenti, por sipas fjalës së tij besoj që muaji nëntor duhet të na gjejë në stadiumin e ri, gjithmonë nëse nuk do të na hapet ndonjë vështirësi tjetër, sepse këtu në Shqipëri në vend që të mbështeten investime të tilla gjigante, në çdo hap që investohet del ndonjë problematikë, që mund ta zgjasë edhe këtë afat. Shpresojmë që fundi i nëntorit të na gjejë në stadiumin tonë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit