Daja merr përgjegjësinë për startin negativ: Kemi cilësi, por ende jo ekip

11 Shtator 2021
8:43
Alfred Lleshi
back button

Java e parë e Kategorisë Superiore startoi me ndeshjen Partizani-Teuta, e luajtur në “Elbasan Arena”. Durrsakët fituan 1-0, falë golit të Pepi Gorgiev në minutën e 18-të. Të kuqtë humbën një penallti, duke e nisur kampionatin e ri jo në mënyrën e duhur. Trajneri Ilir Daja mori përgjegjësitë e humbjes, por u shpreh optimist për garën në vazhdim:

“U ndëshkuam nga dy episode, pasi ishte një gabim i Hoxhës, që nuk duhet t’ia faturojmë vetëm atij. Sot pamë që kemi cilësi në grup, por nuk kemi ende ekip. Na del për detyrë neve, stafit teknik, që të harmonizojmë veprimet e lojtarëve dhe të marrim më të mirën nga potenciali që kanë.

 Zëvendësimet cilësore? Kam biseduar si me Malën, ashtu edhe me Kaçen, të cilët më thanë se janë gati të përballojnë me intensitet të plotë rreth 25 minuta lojë, ndaj u dhashë aq sa mund të mbanin. Kanë ardhur rishtazi dhe shumë shpejt do të jenë gati për të dhënë më të mirën në fushë.

Sot as Junior nuk ishte në formën më të mirë fizike, pasi nëse është në ditët e tij më të mira, i jep një tjetër krijimtari sulmit. Në vazhdim do të vijojmë punën për të krijuar më shumë ekuilibër. Për humbjen e sotme e marr unë përgjegjësinë.

Si skuadër pothuajse jemi riformatuar tërësisht, pasi kemi afruar rreth 20 lojtarë dhe një pjesë të tyre do t’i federojmë me ekipin U-21. Partizani është një ekip i madh, që kërkon të bëjë diferencën. Bashkë me drejtuesit kemi studiuar çdo ditë për të gjetur lojtarët e duhur, që mund të vijnë këtu.

Ndonëse jemi me vonesë, mendoj se kemi ndërtuar një ekip që jo vetëm do të luajë për objektiva madhorë, por premton shumë për të ardhmen, pasi kemi një ndërthurje brezash mjaft të mirë dhe me kalimin e kohës do të rritemi shumë më tepër. Kemi lojtarin Maguette, që është vetëm 18 vjeç dhe sot luajti vetëm 20 minuta, por ka shumë kualitet dhe ai bashkë me të tjerë do të tregojnë cilësitë e tyre në të ardhmen”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit