Daja “ngel në klasë” Hasanin: S’mund të rrezikojmë për t’i bërë vend atij

16 Prill 2021
11:14
Alfred Lleshi
back button

Ndeshja e javës së 28-të e vendos Partizanin përballë krutanëve. Me 47 pikë në renditje për momentin, dy të tilla më pak se Teuta kryesuese, “demat e kuq” nuk mund t’ia lejojnë vetes hapin fals. Sepse  duan të fitojnë titullin kampion. Trajneri Ilir Daja, në konferencën për shtyp apeloi për kujdes maksimal ndaj Kastriotit, duke e vlerësuar një kundërshtar të rrezikshëm:

“Mala është gati për këtë ndeshje. Shpresoj të mos ketë gjë në seancën e sotme stërvitore. Kundër Kastrioti do ta kemi gjithë grupin në dispozicion. “Rastet e humbura? Me Bylisin kemi qenë në lartësinë e duhur në të gjithë komponentët. E dukshme në raport me ndeshjet e tjera ka qenë se ekipi ka bashkëpunuar në grup, lojtarët ishin altruistë për njëri-tjetrin.

Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë që kanë të gjithë lojtarët për të marrë rezultatin. Mendoj që një tjetër gjë pozitive ishte fakti se shënuan të tre sulmuesit titullarë. Të njëjtën frymë dhe mënyrë loje duhet të kemi edhe nesër ndaj Kastriotit, për të shkuar te fitorja.

Kemi dy fitore dhe një humbje në këtë kampionat me Kastriotin. Ndeshjet nuk janë të lehta. Po shikoja golat e shënuar dhe të pësuar.. Kastrioti ka gola më pak të shënuar se të tjerët në pesëshen e dytë të klasifikimit. Ne duhet të mos e ulim dozën e motivimit.

Në disa përballje me ekipe edhe më poshtë se Kastrioti kemi pasur probleme. Pra, nuk  ka ndeshje të lehta. Do të jetë e vështirë nesër, pasi edhe krutanët duan pikë, që të sigurojnë mesin e artë në fund të kampionatit. Ne duhet ta drejtojmë lojën, t’i imponohemi kundërshtarit dhe të bëjmë as më shumë e as më pak se kundër Bylisit.

Ferhan Hasani? Një nga parimet e stërvitshmërisë është vazhdimësia. Patjetër që Hasani është vlerë në ekipin tonë, por do të luajë titullar kur të mendojmë se fizikisht ka mundësinë të përballojë më shumë se 2/3-at e një ndeshjeje. Për momentin besoj se nuk e bën këtë. Nuk na lejohet asnjë hap fals, qoftë edhe duke provuar të ndryshojmë formacionin për Hasanin. Mendoj se do të kontribuojë për aq minuta sa e ka gjendjen fizike në momentin që flasim”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit