Daja prezantohet te Skënderbeu: Këtë radhë, truri ka dëgjuar zemrën…

8 Gusht 2019
11:43
Alfred Lleshi

Ilir Daja është rikthyer në stolin e Skënderbeut. Ai është prezantuar sot nga presidenti Ardian Takaj. Në fjalën para mediave, trajneri kryeqytetas ka nënvizuar ndër të tjera.

Daja, pse morët përsipër ta drejtoni Skënderbeun në këtë situatë?
Kam patur oferta të ndryshme, por zgjodha Skënderbeun për ato që tha presidenti. Kam kaluar këtu kulmin e karrierës, kemi bërë gjithçka brenda një edicioni, duke pasur parasysh titullin, Kupën dhe “Europa League”. Këtë radhë truri ka dëgjuar zemrën. Vendosa që me shumë respekt dhe vlerësim të marr përsipër ta drejtoj Skënderbeun. Motivimi është shumë i vështirë në këto kushte. Ekspeienca më ka bërë që nuk më mungon pjesa e motivimit. Situata është e veçantë dhe të gjithë aktorët duhet të jenë pjesë e motivimit. Merkatoja duhet të nisë me lojtarin e 12-të, tifozët, që të jenë përkrah nesh. Kemi marrë garancinë edhe nga bashkia se skuadrës nuk do t’i mungojë asgjë. Europa është vitrinë, por ka edhe mënyra të tjera për të promovuar lojtarët. Marrim shembullin e Gurit dhe Abazajt.

Cili është objektivi?
Nuk mund të dalim me objektiva konkretë. Edhe pse kemi një grup me eksperiencë, duhet kompletuar skuadra, por afati kohor është i limituar. Kemi pak mundësi zgjedhjeje. Po punojmë të afrojmë lojtarë cilësorë. Nuk mund të pretendojmë se do të jemi “lokomotiva” e garës, por aty afër. Politikat në futbollin shqiptar janë afatshkurtra. Nuk mund të bësh plane afatgjata. Ka qenë ndjesia e mrekullueshme që kam përjetuar në Korçë, ajo që më thirri nga brenda. Pra, doja që edhe unë të jepja kontrbut në këtë moment. Do të jemi konkurrues, jo vetëm për të plotësuar Superioren.

A keni frikën e problemeve që hasët te Flamurtari?
Nuk janë situata analoge. Është tjetër problem, ky i Skënderbeut. Flamurtari vinte nga poshtë, kishte objektiv për t’u ngjitur lart. Këtu është një ekip elitar, që ka vendos standarde edhe në prezantimin europian. Është edhe më e vështirë, por kur arrihen rezultate përmes vështirësive, kënaqësia është më e madhe.

Ju folët për organikë të limituar…
Është afruar Turturlli, portierin nuk e diskutojmë, sepse kemi dy shumë të mirë, Koliçi dhe Dajsinani. Mbrojtja është reparti më i boshatisur. Kanë ikur Vangjeli, Radas. Në sulm dhe mesfushë ekipi ka cilësi. Është për t’u parë, që të shtojmë rivalitetin, konkurrencën. Në raste problemesh, duhet të kemi mundësi për t’i zëvendësuar lojtarët.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit