Dani Alves negocion me PSG-në, por ëndërron edhe “pokerin” e bujshëm

16 Maj 2019
22:21
Denis Hakanaj
back button

Spanjë, Itali, Francë dhe Angli? Nëse ekziston kategoria e eksploratorëve të botës së futbollit, Dani Alves do të ishte një përfaqësues i denjë i saj. 

Pasi ka fituar kampionatin në tre shtete të ndryshme të kontinentit europian, braziliani duket se po kërkon një "poker" të bujshëm, edhe pse vazhdon të negociojë rinovimin e kontratës me klubin aktual, që nuk është aspak i kënaqur me këtë lojë të dyfishtë. Do të qëndrojë edhe një vit në Francë, apo  do të  transferohet në Premier?   

Vitet kalojnë, por 36-vjeçari Dani Alves ëndërron një tjetër sezon me topin në këmbë. Kontrata që ka me PSG-në skadon në 30 qershor dhe klubi i ka ofruar rinovimin për një vit tjetër. Sipas "UOL",  mbrojtësi i krahut kërkon një marrëveshje dyvjeçare, por ka edhe një ëndërr të vogël. 

Sipas shtypit brazilian, ish-lojtari i Juventus-it është i tunduar nga ideja për ta mbyllur karrierën në Angli dhe për të provuar të fitojë kampionatin në një shtet që i mungon koleksionit të tij. Në verën e 2017-ës, para se të zbarkonte në Paris, futbollist është kërkuar nga City, Chelsea dhe Manchester United, por asnjë nga këto klube nuk është interesuar për futbollistin deri tani. 

Dani Alves ka mbetur shumë i zhgënjyer nga mangësitë e organikës së kampionëve të Francës, që e kanë detyruar atë të luajë në pozicione të ndryshme të fushës në këtë sezon. Për sa kohë do të zgjasë mundja e krahut mes dy palëve? Braziliani nuk nxiton dhe vazhdon të ëndërrojë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit