Daniel Maldini “tradhton” babain, zbulon idhullin brazilian në futboll

3 Prill 2020
15:23
Alfred Lleshi
back button

Fillimi i vitit 2020 ishte shumë intensiv për Daniel Maldini. Përfundimisht, ai u bashkua me grupin e ekipit të parë, të udhëhequr nga Stefano Pioli, ndërsa në fillim të shkurtit ishte në gjendje të festonte debutimin në Serie A. Pastaj, në fund të marsit, djaloshi e pa veten i prekur nga makthi që ka gjunjëzuar Italinë e më gjerë: “Coronavirus”.

Mesfushori-sulmues i kuqezinjve, duke iu përgjigjur disa pyetjeve të fansave përmes profilit në Instagram të Milanit, zbuloi disa detaje të karrierës së deritanishme, duke filluar nga idhulli i tij: “Një nga idhujt dhe modelet e mia në futboll ka qenë gjithmonë Ronaldinho”.

Daniel Maldini është vetëm i fundit në radhë, në dinastinë e kampionëve të jashtëzakonshëm. Para tij, gjyshi Cesare dhe babai Paolo shkruan faqe shumë të rëndësishme në historinë kuqezi: “Për mua kjo është një përgjegjësi e rëndësishme, por jam mësuar të përballem me këtë presion. Për mua, përfaqësimi i dinastisë është krenari dhe nder. Ngjyrat kuqezinj janë një simbol i familjes sime”.

Talenti i Milanit shpjegoi se si është sot dhe njoftoi se e ka lënë pas “Coronavirus”: “Jam mirë, nuk përjetoj më simptoma dhe po vazhdoj me stërvitjet në shtëpi”. Daniel Maldini zbuloi se çfarë ndjeu kur bëri debutimin e tij në “San Siro”, më 2 shkurt, në fanellën e Milanit: “Ishte një emocion unik, mbase më i madhi që kam përjetuar në futboll”. 

Te Milani, ai ka fatin ta ndajë dhomën e zhveshjes me një gjigant si Zlatan Ibrahimovic: “Kam një marrëdhënie të mirë me të, më jep shumë këshilla për brenda dhe jashtë fushës. Marrëdhënia është e shkëlqyeshme me të gjithë. Leao, Castillejo dhe Calhanoglu janë shokët, me të cilët shoqërohem më së shumti”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit