Danilo Alves nuk kthehet më, tradhtar apo i tradhtuar?

13 Janar 2019
19:32
back button

Në Shqipëri futbollistët paguhen shumë, tepër, krahasuar me produktin final dhe interesin e paktë që ka populli, i varfër në xhepa dhe në mendje. 

Megjithatë, nëse futbollistët marrin miliona lekë në muaj nuk është faji i tyre, por i një sistemi të kalbur, që nuk rregullohet nga askush dhe bën që presidentë të paaftë e të këqinj të futen në garë idiote se kush shpenzon më shumë. 

Flamurtari është simboli i këtij absurditeti që mbizotëron në futbollin tonë, sepse aty çdo vit ndërtohen ekipe me shpenzime marramendëse, edhe pse nuk bëhet fjalë për një klub privat dhe punohet pa asnjë plan biznesi. 

Bashkia, që nuk ekziston kur bëhet fjalë për të dhënë ndihmë, ka disa vite që ia ka lënë klubin në administrim Sinan Idrizit dhe disa kompanive turke, që për interesat e tyre të biznesit kanë vendosur të investojnë edhe te Flamurtari. U kanë premtuar privatizimin, por këtu historia bëhet lëmsh dhe vjen era mashtrim. 

Problemi është se klubi nuk mbahet me premtime dhe me histori të tipit "e nisim, pastaj shohim e bëjmë". Futbollistët firmosin kontratat që u vënë përpara, nuk i marrin me dhunë. Si çdo njeri, edhe ata duan të paguhen në fillim të muajit, ose nga mesi i tij. Edhe një muaj me vonesë nuk prish shumë punë, por në Vlorë është bërë modë që pagat të vonohen 3-4 muaj.

Ka zëra se Sinan Idrizi është lodhur nga gënjeshtrat dhe nuk pranon të hedhë më asnjë lek te Flamurtari. Nëse ai largohet, Flamurtari falimenton, sepse nuk ka biznes a bashki që ta mbushë gropën financiare. 

FSHF nuk e vë ujin në zjarr, edhe pse e di mirë se Flamurtari rrezikon zhdukjen si klub, ndërkohë që ka edhe klube të tjerë të mbytur. Bashkia po në gjumë, as gropat e Vlorës në hyrje të qytetit nuk mbush dot, sa për fasadë (apo ndoshta lagja e quajtur Pusi i Mezinit nuk konsiderohet më pjesë e Vlorës).

Në gjithë këtë katrahurë, viktimat janë lojtarët aktualë të Flamurtarit, ashtu si dhe të punësuarit e tjerë në klub, sepse të gjithë janë pa paguar. Shumica presin kokulur, nuk kanë ku shkojnë, edhe për faktin se firmosin kontrata me klauzola që i ndalojnë të largohen, në një kohë që në një vend normal 3 muaj pa paguar do e falimentonin një klub futbolli dhe do e kalonin në administrim shtetëror. 

I vetmi që ka ngritur krye, si zakonisht, është Danilo Alves. Braziliani ka ikur në Brazil dhe nuk kthehet pa paguar, e ka bërë edhe në të shkuarën. Klubi e kërcënon me gjyq në FIFA, duke harruar që FIFA dhe UEFA e fundosin po të zbulojnë që disa lojtarë luajnë falas prej majit të shkuar. 

Disa tifozë, nga padituria, e quajnë tradhtar dhe e ofendojnë Danilon. Faji i tij është që nuk vjen në Vlorë dhe të jetojë me shpresë, duke pritur pa fund, mundësisht duke u futur edhe në borxhe, sepse si shumica e lojtarëve është familjar dhe nëse ke që në verë pa u paguar, sado e madhe të jetë paga, paratë ikin. 

E quajnë tradhtar sepse kërkon atë që i takon me kontratë, fundja ai detyrën e vet e ka bërë më së miri dhe nuk ka pse t'i interesojnë dramat shqiptare me kryeministra, avionë, kryebashkiakë e presidentë klubesh që hedhin para poshtë, duke u qurravitur më pas se harxhojnë paratë e familjes për futbollin.

Tradhtarë ndoshta janë këta më sipër, të parët e vendit, të parët e futbollit, të parët e fshatit, që kanë qejf të krekosen si gjeli majë plehut, por kur vjen puna për të bërë detyrën, askush nuk e ka me qejf. Si zakonisht, i pasuri mendon se ka të drejtë të bëjë gjithçka dhe i punësuari është një skllav që duhet të ulë kokën e të presë mëshirën e bosit, përndryshe e quajnë tradhtar, i presin bukën dhe e kërcënojnë se nuk do luajë me futboll. Histori e vjetër, por për fat sapo dalin nga kufijtë shqiptarë të gjithë zbuten, sepse FIFA e UEFA ua ka pirë lëngun tashmë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit