Danilo Gecaj te kampionët; Teuta rrëmben talentin e mesfushës

31 Gusht 2021
12:36
Alfred Lleshi
back button

Nuk i ka shpëtuar Teutës një nga xhevahirët më të mirë të futbollit, që ka spikatur si mesfushor tek Erzeni, edhe pse mjaft i ri. Fjala është për Danilo Gecaj, 21-vjeçarin me rrënjë nga Valbona dhe Valmori, prej nga e kanë origjinën dy prindërit e tij. Si duket që andej buron edhe talenti i tij i kristaltë në futboll, si ajri dhe bora e atyre majave, aq sa t’i ngjisë shkallët shumë shpejt në pak vite, nga Erzeni në ekipin e parë kampion të Shqipërisë.

Pasi mbërriti rishtas në radhët e klubit shijakas, i huazuar nga të rinjtë e Teutës, falë klasit të lartë që posedonte arriti të zërë shumë shpejt një vend titullari në ekipin e parë të Erzenit. Shpejtësi, grintë, vizion për lojën, klas në zotërimin dhe qarkullimin e topit, të gjitha përbëjnë “armën” më të fortë të këtij mesfushori të talentuar, që u pikas nga drejtuesit e Teutës dhe u bë zyrtarisht pjesë e saj ditën e fundit të gushtit.

Gecaj shihet si e ardhmja e futbollit bregdetar, ndaj mund të konsiderohet pa frikë një vlerë e shtuar në repartin e mesfushës së “djemve të detit”. Klasi i lartë i këtij futbollisti bëri shpejt për vete tifozët shijakas, me siguri me magjinë e këmbëve të tij do të mahnisë edhe mbështetësit e Teutës.

Klubi durrsak e paralajmëron këtë, përmes njoftimit përkatës: “KF Teuta ka kënaqësinë të njoftojë se mesfushori Danilo Gecaj është zyrtarisht pjesë e ssaj. Klubi ynë ka arritur ditën e sotme një marrëveshje 4-vjeçare me lojtarin 21 vjeçar, i cili vjen te Teuta pas paraqitjeve shumë të mira në ekipin e Erzenit. KF Teuta i uron mirëseardhje Danilos dhe shumë suksese me fanellën e klubit tonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit