David Villa “del garant” për 126-milionëshin e Atletico Madrid

10 Korrik 2019
9:15
Alfred Lleshi
back button

Ish-sulmuesi i Atletico Madrid, David Villa, e ka mbështetur Joao Felix që të jetë i suksesshëm në “Wanda Metropolitano”. Djaloshi 19-vjeçar vjen nga Benfica për 126 milionë euro, duke lënë pas një sezon mjaft pozitiv me portugezët, ku shënoi 15 gola dhe dha 9 asiste në 26 ndeshje. Një shumë kaq e madhe parash, të paguara për të, mbetet të shihet nëse justifikohet apo jo. 

Ka shumë specialistë të merkatos, që e shohin shifrën tejet të ekzagjëruar për një "adoleshent", por Villa ka mbështetur gjykimin e ish-klubit të tij: "Me shumën që ka paguar, besoj se Atletico Madrid ka qenë i bindur në atë që po bënte. Unë e di sa mirë i menaxhojnë atje kësi çështjesh. Ata nuk do të kishin nënshkruar me Felix, pa qenë të sigurt për potencialin që ka. 

Unë nuk e kam parë atë të luajë shumë, por tifozët e Atletico Madridit do t’i jenë mirënjohës, nëse punon shumë. Në futboll edhe mund të dështosh, por nëse jep gjithçka në fushë dhe luan me zemër, njerëzit janë të lumtur. Personalisht, kam luajtur vetëm një vit me Atletico Madridin. Kam pasur ulje dhe ngritje, kam shënuar 15 gola, kemi fituar La Liga-n dhe tifozët ende më falënderojnë".

Vetë Villa tani është 37 vjeç dhe po luan me Vissel Kobe në J-League të Japonisë. Ai është duke shijuar përvojën aziatike dhe nuk do të ndalet, derisa trupi i tij të mos e tradhtojë fizikisht. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit