VITI 1991: Në Rozario zbuluan një Gjeni! Fëmija i ndrojtur që mrekulloi botën

24 Qershor 2019
17:31
Anton Cicani
back button

Jemi në Rozario (300 km larg Buenos Aires), qyteti më i madh i provincës Santa Fe në Argjentinë… Eshtë 24 qershori i vitit 1987 dhe Jorge Horacio që punon në një uzinë për shkrirjen e çelikut qëndron pranë të shoqes Celia María Cuccittini, një grua e thjeshtë që punon si pastruese, në shtrat, gati të sjellë në jetë djalin e tretë të familjes Messi.

Një familje që mban një mbiemër italian, sepse katragjyshi Angelo nga Rekanati i Italisë, hipi në anijen e emigrantëve drejt Argjentinës, destinacioni Rozario, me një ndalesë edhe në Barcelonë.

Nuk është periudhë e mirë për Jorgen, sepse pak ditë më parë Newell's Old Boys, skuadra e zemrës, sapo ka humbur derbin dhe lagjia është e mbushur me tifozë të Rosario Central.

"Do ta quajmë Lionel, shkurt Leo!"… Koha fluturon dhe kalojnë disa vite. Dy fëmijët më të mëdhenj të familjes së zotit Jorge janë duke u përgatitur të zbresin në fushë për të luajtur një ndeshje moshash në fushën e qytetit.

Salvador Aparicio! Trajneri i ekipit të fëmijëve Grandoli. Ky emër është zanafilla e një historie të mrekullueshme që vazhdon të shkruhet edhe sot me një penë të artë. E thërrasin "Don Aparicio", për mirësinë që zotëron dhe faktit që është shumë besimtar në Zot.

Kështu, përpara se të luhet ndeshja e vërtetë, ku dy vëllezërit e Leos janë titullarë, vendos që të organizojë një mini-ndeshje, me rezervat, pra atë që nuk luajnë kurrë. Por, ka një problem: mungon një lojtar dhe duhet plotësuar numri.

Kështu, Don Aparacio, që e njeh mjaft mirë Jorgen dhe gruan e tij, Maria, i drejtohet: "A mund të na jepni atë djalë të vogël?"… E ëma e Leos nuk është dakord. "Jo, Leo është një fëmijë i ndjeshëm dhe qëndron me ne".


Eshtë vetëm 4 vjeç Leo, ndërsa të tjerët janë 6 vjeç. Don Aparacio këmbëngul: "Edhe pse është i majtë, do ta vendos në të djathtë, pranë tribunës. Kështu, nëse qan, atëherë mund të kthehet te ju pa asnjë problem. Nuk kërkojmë asgjë nga ai, nuk do të bëjë gjëra të mëdha, thjesht të vrapojë dhe godasë topin".

Moment reflektimi, kur dëgjohet zëri i nënës: "Lëreni të luajë, nuk do të ndodhë gjë". Bekimi dhe shenja e Zotit… i vogli zbret në fushë i ndrojtur dhe vendoset aty ku i thanë. Topit të parë që sheh t'i afrohet i hap rrugën dhe e lë të kalojë… Motivi? Sepse duhet të përdorte të djathtën, por atë këmbë ai nuk e zotëron.

"Jepi Leo, mundohu të shkosh ti te topi, por favor!", bërtet Don Aparacio. Mamaja ngrihet në këmbë dhe bërtet: "Ju lutem, mos i bërtisni tim biri. Ju thashë është i ndjeshëm. Doni ta marr?".

"Jo, jo zonjë!".

Më pas, fati, rastësia ose shenja e Zotit – quajeni si të doni – vendos që topi i dytë t'i vijë pikërisht në drejtim të këmbës së majtë. Në atë moment, një rrufe imagjinare godet historinë e futbollit. Në Rozario, do të ndodhë diçka që kurrë më parë nuk e kishin parë…

I vogli Leo merr topin dhe fluturon drejt portës duke dribluar një nga një të gjithë ata që gjen përpara, ndërsa në sfond dëgjohen thirrjet "godite, godite!". Por, duke qenë shumë i shkurtër dhe më këmbë të vogla, djaloshi nuk ka fuqi që ta godasë, kështu që afrohet deri 1 metër përpara portierit dhe shënon… Më pas, kthehet në mesfushë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe sikur ka bërë gjënë më normale në botë.

Të gjithë shtangen! Familja e djaloshit nuk u beson syve, ndërsa gjyshja duartroket me një "bravo Leo!". Dukej sikur ai djalë gjatë gjithë atyre viteve kishte luajtur futboll dhe fjetur me topin.

Pikërisht atë gol, atë të bekuar gol, me driblime dhe të majtën finalizuese, do ta bëjë gjithë jetën. Frika e familjes ishte pikërisht fiziku i tij, një kristal që po të rrëzohej, mund të bëhej thërrime thërrime… Një histori që i përket edhe momentit kur nisi të ecë dhe kur një biçikletë do ta përplaste, duke i dëmtuar pulsin.

Nga ajo ditë, kur e majta e tij nisi të "funksiononte", topin do ta mbajë edhe poshtë krevatit… Në shkollë nuk shkon me dëshirë të madhe, por mëson aq sa për të kaluar rradhën… Topin dëshiron ta mbajë gjithmonë ai dhe jo të tjerët, kështu i pëlqen të driblojë. Duket sikur thotë "provoni të ma merrni".

Vitet kalojnë dhe djaloshi rritet: provon te Central Cordoba, ekip i qytetit Rozario. Më pas, kalimi te Akademia e Newell's Old Boys. Në moshën 9 vjeç debuton në një fushë 11 kundër 11. Golat janë kthyer në rutinë, ndërsa e majta sa vjen dhe perfeksionohet, deri kur familja merr lajmin më të hidhur.

"Fëmija juaj ka një mungesë zhvillimi hormonal dhe rrezikon që të mos rritet dhe forcohet në kockë!". Leo është ende i vogël dhe pyet të atin: "Baba, nuk do të luaj më futboll?". Jorge provon të mbajë lotët, e ka të vështirë. Eshtë kohë krize në Argjentinë: Newell's nuk mund t'i paguajë ilaçet për rritjen hormonale që kushtojnë 900 dollarë në muaj.

Edhe River Plate, që e ka parë djaloshin, nuk ka aq para, sepse duhet paguar edhe Neëell's. Nga dashuria për futbollin te horizonti i kobshëm. Fati troket në derë, kur nga Barcelona mbërrin Carles Rexach, drejtori sportiv i Barcelonas, që e ndoqi Messin në një provë të bërë në Katalonja, aty ku Leo ka kushërinj që jetojnë në Jerda.

Mbërriti në Barcelonë një ditë shtatori në vitin 2000 dhe do të provohej bashkë me disa fëmijë të tjerë. i ndrojtur, u ndërrua jashtë dhonave të zhveshjes, lidhi kaviljet me fasho (traditë e argjentinasve) dhe nisi të tallej me ata që ishin në fushë, duke i dribluar si birila, edhe pse ishin më të mëdhenj se ai.

"De donde es?", pyetën ("nga është?"). Rozario, Argjentinë! Aty nga vinin edhe figura si Che Guevara, Menotti, Kempes, Bielsa, Sensini, Mascherano, Lavezzi, Valdano, Batistuta dhe Di Maria… Pra, figura të rëndësishme, jo "meteorë".

Avioni e kthen në vendlindje, ndërsa familja lutet që të vijë dikush nga Barcelona për ta marrë në Europë, sepse paratë për kurat nuk dalin…

Në derë troket Barcelona: "Ok, paguajmë ne 900 dollarët në muaj, por duhet të vijë në Europë, në Barcelonë, te La Masia!". i ati nuk ka asnjë dokument me vete, asnjë kontratë, asnjë copë letër. 

Fëmija është ende i vogël, 11 vjeç, ndaj duhet shënuar diku. Legjenda thotë se atë "firmë", Jorge Horacio Messi e hodhi në një pecetë prej letre… "Lionel Andrés Messi Cuccittini, lindur në Rozario më 24 qershor 1987 është një futbollist i Barcelonas!".

"Faleminderit dhe mirupafshim, do të rishihemi!". Nga aty, nis një jetë e re. Messi kurohet nga Barcelona, edhe pse është shumë i ndrojtur. "E shihja me flokë të gjata dhe të urtë. i thoja vetes: ky këtu është kohë e humbur!", do të rrëfeje Fabregas. 

Pique, sakaq, mban ende mend bisedën e parë: "I thashë: në çfarë pozicioni luan? "Enganche!", përgjigjet Leo… Pique krruan kokën, nuk e kupton atë fjalë, pasi spanjishtja letrare është ndryshe nga ajo e argjentinasve. Messi luante pas sulmuesve ose në krah. Në La Masia nisin ta kuptojnë se kanë të bëjnë me një lojtar që me topin mund të bëjë çfarë të dojë.

Në moshën 10 vjeç është i gjatë 1.27 metra, 11 është 1.32, 12 është 1.48 dhe sot 1,7 metra… Pak më i gjatë se Maradona. Fillimet te La Masia nuk janë të lehta. Eshtë i mbyllur, i mungon e ëma. 

Ndrydh kaviljen teksa zbret shkallët, qan i vetëm. E detyrojnë të pijë çdo herë pas stërvitjes një lëng frutash me vitamina, por atij ia shpif. Do vetëm coca-cola, çokollatë dhe pica. Ushqehet në restorante argjentinase në Barcelona.

Tatuazhi i parë, pa ia thënë askujt: fytyra e të ëmës në shpatull me të shkruar "i edukuar për të fituar". Debuton në vitin 2003, 16 vjeç dhe 145 ditë, në minutën e 75-të me fanellën me nr.14 të Cruijff në miqësoren Barcelona-Porto.

Më pas, shansi i artë i vjen kur Frank Rijkaard thërret Decon dhe i thotë "Leo, momenti yt!". Mess debuton zyrtarisht në një ndeshje kampionati me Barcelonan… 

Nga ajo ditë sot kanë kaluar 15 vite, janë fituar shumë trofe, janë shënuar shumë gola, janë luajtur shumë ndeshje dhe janë ngritur pesë Topa të Artë, ndërsa Leo mbushi 32 vjeç… Djaloshi që desh braktisi futbolli, por futbolli nuk e braktisi atë.

Për të mirën e të gjithëve, për të mirën tonë, për të mirën e këtij sporti të mrekullueshëm!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit